Lidhje

Profesor Sami Repishti për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane


Më 10 qershor Presidenti George Bush do të jetë i pari president amerikan në detyrë që shkon në Shqipëri. Për të folur për rëndësinë e kësaj vizite në marrëdhëniet dypalëshe dhe për domethënien e saj në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës, Zëri i Amerikës zhvilloi në programin televiziv Ditari një intervistë me aktivistin për të drejtat e njeriut, profesor Sami Repishtin.

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti, mbarë klasa politike shqiptare, e ka cilësuar vizitën e presidentit Bush, si një ditë historike për Shqipërinë. Sipas jush çfarë ndikimi do të ketë kjo vizitë për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve?

Sami Repishti: Besoj se vizita e presidentit Bush në Shqipëri çimenton marrëdhëniet mes të dy vendeve. Ka një rëndësi të veçantë. Presidenti i një vendi të madh siç është Amerika të vizitojë Shqipërinë tregon se edhe nga ana simbolike se Amerika ka besim në politikën e tanishme të Shqipërisë, në rolin që ajo po luan në Ballkan dhe në Evropë. Kurse nga ana praktike unë besoj se ajo do ta shtojë shumë rëndësinë e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, në marrëdhëniet me vende të tjera si një vend që meriton të merret në konsideratë seriozisht. Ajo do ti japi një farë vlere edhe peshës së politikës shqiptare në problemin e Kosovës. Po kështu shumë afaristë të huaj do ta shohin Shqipërinë si një vend të stabilizuar, një vend që ka legjislacion, një vend që inkurajon investimet e huaja. Unë besoj se një grup afaristash amerikanë dhe evropianë do ta ndjekin vizitën e Bushit në Shqipëri me interes për investime aty.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është një nga aleatet dhe përkrahëset më të zjarrta të Shteteve të Bashkuara. Si e shpjegoni ju këtë lidhje mes një vendi të vogël dhe gjeografikisht shumë larg Shteteve të Bashkuara?

Sami Repishti: Praktikisht Shqipëria ka patur marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara që nga vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore sidomos me deklaratën e presidentit Wilson i cili mbrojti pavarësinë dhe integritetin tokësor të Shqipërisë. Që nga ajo kohë e prapa, Shqipëria nuk ka patur mundësi të lidhet me Amerikën por ka funksionuar me ndërmjetësinë e bashkësisë shqiptare në Amerikë, veçanërisht të Vatrës në kohën e Nolit, në kohën e Çekrezit etj. Mandej, me njohjen e diplomatike të Shqipërisë, me ardhjen e ambasadorit Krein, Bernstin, Hju Grent dhe ambasadorë të tjerë që kanë ardhur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, po sidomos prezenca e ambasadorit Xhekobson, të gjitha i kanë dhënë me kuptu popullit shqiptar se tek Amerika ata mund të shikojnë me besim një shtet i cili mbetet si një shpresë e madhe për popujt e vegjël, popujt e shtypur, një pishtar i demokracisë, një vend që duhet ndjekur si shembull. Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qënë vazhdimisht dhe konstant dhe dokumentat diplomatike që kanë dalë në dritë më vonë vërtetojnë se qëndrimi i Amerikës kundrejt Shqipërisë ka qënë vazhdimisht miqësor. Kemi periudhën e diktaturës 45 vjeçare në Shqipëri dhe zhvillimin e Luftës së Ftohtë. Në atë kohë sigurisht kemi një qëndrim armiqësor të Amerikës kundrejt regjimit në Shqipëri por asnjëherë kundër popullit shqiptar. Në vitin 1950 përshembull në kulmin e propogandës komuniste, Amerika ofroi ndihmë gjatë krizës së madhe që kishte Shqipëria për bukë. Pas vitin 1991, Amerika ka qënë shteti që ka qënë në mbështetje të popullit shqiptar, që ka bërë çdo gjë të ruajë stabilitetin politik në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se komuniteti shqiptaro-amerikan ka ndihmuar në forcimin e kësaj lidhje gjatë këtyre viteve?

Sami Repishti: Nuk ka dyshim. Të gjithë ne shqiptaro-amerikanët këtu, pavarësisht nga bindjet politike kemi patur një orientim të caktuar, për të mundësuar dhe duke bërë përpjekje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të interesuara sa më shumë për zhvillimet në Shqipëri. E gjithë puna që bëjmë ne këtu përqëndrohet në atë pikë – të interesojmë qeverinë amerikane, kongresin amerikan të tregojë kujdes për zhvillimet në Shqipëri, sidomos për zhvillimet politike dhe ekonomike. Komuniteti ynë ka qenë në këtë pikëpamje plotësisht i bashkuar dhe i vendosur për të avancuar sa më shumë miqësinë shqiptaro-amerikane. Ky është pikësynimi ynë kryesor.

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti dhe në planin personal, ju keni qenë i dënuar nga sistemi komunist dhe sot, presidenti i atdheut tuaj të adoptuar, i vendit më të madh demokratik në botë shkon në vendin që ju dënoi ju thjesht për pikëpamjet tuaja. Si e përjetoni ju këtë ngjarje?

Sami Repishti: Mu duk disi e pabesueshme që të ketë arritur dita që presidenti i Amerikës të vizitojë Shqipërinë. Gëzimi im është i pakufijshëm. Nuk ka asnjë dyshim pasi ky është një manifestim se Shtetet e Bashkuara e shikojnë Shqipërinë si një vend serioz, një vend demokratik që shërben për paqen dhe stabilitetin në vend, një kandidat i mundshëm për hyrjen në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Por nga ana tjetër do të dëshiroja që udhëheqësit e Shqipërisë të tregojnë njëçik më shumë kujdes për ish të persekutuarit politikë të cilët janë harruar fare. Është krijuar një fazë e egërsimit politik mes partive politike në Shqipëri kur vjen fjala për ish të burgosurit politikë. Ata janë baza morale e shoqërisë shqiptare. Nuk ka qeveri shqiptare, cilado qoftë ajo, që mund të kërkojë legjitimitetin e saj në se nuk ka një bazë morale dhe këtë bazë morale e gjen pikërisht tek dhjetra mijëra të burgosurish politikë dhe të persekutuarish në Shqipëri që i kanë thënë JO diktaturës për 45 vjet i kanë treguar botës se Shqipëria ka një fibër morale të cilën diktatura nuk mund ta shkatërrojë. Unë uroj që udhëheqësit e qeverisë shqiptare në takimin e tyre me presidentin Bush të ftojnë edhe përfaqësues të të përndjekurve politikë dhe uroj që presidenti Bush të marrë kohë ti shohë këta përfaqësues që e meritojnë. Unë i kam dërguar një letër presidentit Bush, në të cilën i kam kërkuar që ai të gjejë mundësinë e të takohet me përfaqësues të ish të burgosurve politikë. Pa një sqarim të këtij problemi, pa një qëndrim moral ndaj këtij problemi që për mua është esencial për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, do të ketë trazira, moskënaqësira dhe një situatë e pakëndëshme për shumë njerëz, përfshi edhe mua.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, atmosfera politike vazhdon të jetë e acaruar, përplasja fundit ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Pas 16 vjetësh demokracie a mendoni se klasa poltike shqiptare eshte ngritur në nivelin e përgjegjësive që kërkohen prej saj?

Sami Repishti: Unë jam pesimist në këtë pikëpamje. Në Shqipëri është krijuar një mentalitet që partitë politike janë armiq. Në Shqipëri nuk ka armiq. Armiku i Shqipërisë është varfëria, është injoranca, gjakmarrja, është analfabetizmi. Këto janë armiqtë e Shqipërisë. Të tjerët që nuk merren vesh njëri me tjetrin, që kanë mendime të kundërta janë thjesht kundërshtarë dhe me kundërshtarin ulesh në tavolinë e bisedon, nuk lufton. Në Shqipëri është krijuar një mentalitet militantizmi që është gati për konfrontime për gjënë më të vogël. E njëjta gjë po ndodh edhe me zgjedhjen e presidentit. Zgjedhja e presidentit duhet të jetë si të thuash një ngjarje me rëndësi, një ngjarje fatlume për popullin shqiptar dhe presidenti përfaqëson popullin. Të flasësh kundër presidentit në mënyrën sikurse flitet sot, ose të bisedosh për zgjedhjen e presidentit me anë të kompromiseve politike e ul presligjin moral të Shqipërisë dhe imazhin politik të vendit në botën e jashtme. Unë jam qytetar amerikan dhe nuk kam të drejtë të votojë për presidentin apo ti japë këshilla qeverisë shqiptare por si shqiptar, si njeri që kam vuajtur shumë u bëjë thirrje forcave politike shqiptare që të përdorin politikën, e jo politikën e grushtit.//rd//

XS
SM
MD
LG