Lidhje

Vizita e Presidentit Bush: Interesim i madh në qarqet politike të Tiranës


Qarqet politike në Tiranë po presin me mjaft interesim dhe po bëjnë përgatitje të shumta për mbarëvajtjen e vizitës së presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, i pari president amerikan që viziton Shqipërinë. Përfaqësues të forcave politike e vlerësojnë atë si një ngjarje historike për marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-amerikane, dhe për ndikimin që ajo do të ketë në zhvillimet e rajonit.

Anëtarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, deputetja republikane, Lajla Përnaska, thotë se vizita e presidentit Bush në Shqipëri është një ngjarje me ndikim të madh në të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. "Kjo vizitë përbën një cast kulmor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që janë marrëdhënie shumë të hershme, që kanë mbetur të forta edhe gjatë periudhës më të egër që përjetuam, si marrëdhënie të një miqësie të thellë dhe të sinqertë e popullit shqiptar ndaj popullit, qeverisë dhe shtetit amerikan. Mendoj se kjo vizitë do të sjellë edhe një zhvillim akoma më pozitiv të vendit tonë dhe të gjithë procesit të Shqipërisë për integrim në NATO dhe në BE" - thotë zonja Përnaska.

Ndërsa anëtari tjetër i komisionit parlamentar të politikës së jashtme, ish-ministri i jashtëm socialist, Kastriot Islami, thotë se vizita e presidentit Bush sjell mesazhe mjaft të rëndësishme si nga pikëpamja politike e ekonomike, ashtu edhe nga ndikimi në rajon për cështje si Kosova; por mbi të gjitha sjell mesazhe për integrimin e Shqipërisë në NATO. "SHBA, si nëpërmjet Kartës së Partneritetit "Adriatik 3", që është një model ku SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të bërë sa më të dukshëm veprimin e Shqipërisë në lidhje me anëtarësimin, natyrisht edhe si një nga anëtaret më të rëndësishme në këtë organizatë të fuqishme, SHBA gjithmonë kanë mbështetur Shqipërinë për t'u bërë anëtare e NATO-s. Edhe ky është një mesazh tjetër i rëndësishëm për Shqipërin_91 dhe për të gjithë shqiptarët, për t'u bërë pjesë e kësaj Aleance me vlera të rëndësishme. Ky është edhe një mesazh për gjithë popullin shqiptar për të kuptuar që Shqipëria është në rrugën e mbarë të demokracisë; pra, është një vend që paraqet interes dhe marrëdhëniet me SHBA evidentohen si një mbështetje për popullin shqiptar" - thotë zoti Islami.

Përvec dekadave të diktaturës komuniste, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA vlerësohen reciprokisht si shumë të mira, që nga fillimi i shekullit të njëzet, e deri sot me bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG