Lidhje

Në Këshillin e Sigurimit vazhdojnë mosmarrëveshjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara paraqitën dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë të rishikuar, në të cilën mbështetet pavarësia e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare, por ajo u kundërshtua menjëherë nga Rusia. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se pavarësia e mbikqyrur është e vetmja zgjidhje realiste e statusit përfundimtar të Kosovës.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha dje në Gjermani se çështja e Kosovës “është për momentin sfida më urgjente” e Shteteve të Bashkuara.

“Status kuoja atje nuk është e justifikuar dhe fillimisht pavarësia e mbikqyrur është e vetmja zgjidhje realiste dhe e dëshiruar”.

Versioni i ri i rezolutës pëmban disa ndryshime të vogla për t’iu përgjegjur shqetësimeve të Rusisë për ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës.

Megjithatë ajo nuk përmban propozimin kryesor të Rusisë për negociata të reja mes shumicës shqiptare të Kosovës, që kërkon pavarësinë dhe pakicës sërbe që dëshiron të mbetet pjesë e Serbisë. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin tha se Moska nuk shikon ndryshime thelbësore nga varianti i mëparshëm.

“Ky version i rishikuar i rezolutës, për mendimin tonë nuk ndryshon ndonjë gjë. Ne u përmbahemi elementeve që kemi propozuar. Unë ua kam përsëritur këto kolegëve të mi në Këshillin e Sigurimit, por gjërat kanë mbetur ashtu siç ishin para këtij versioni”.

Zoti Çurkin duket se sinjalizoi se Rusia do t’i vërë vetom rezolutës kur tha se vota e vendit të tij është “më se qartë”.

Ambasadori amrikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Khalilzad, i cili mban tani presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit, tha se pret që ekspertët e Këshillit të mblidhen sot për të diskutuar projektrezolutën. Ambasadori rus, Çurkin, tha se mund të dërgojë një ekspert si dëgjues.

Zoti Kalilzad tha se do të donte që votimi për rezolutën të mbahej javën e ardhëshme.

“Ne i mirëpresim idetë dhe sugjerimet konstruktive dhe jemi të predispozuar të negociojnë, por tani është radha e Rusisë të dalë me ide dhe sugjerime. Procesi për të ecur përpara ka filluar dhe pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Ne do të bëjmë ç’është e mundur për t’i përfshirë idetë dhe sugjerimet konstruktive të Rusisë ”.

Mbështetësit e rezolutës, të paraqitur nga Britania e Madhe në emër të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe anëtarëve evropianë të Këshillit të Sigurimit, thonë se duan kryerjen e veprimeve të shpejta në përputhje me dispozitat e kësaj rezolute, që do t’i jepte fund administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara brenda 120 ditësh dhe do t’ia kalonte mbikqyrjen e Kosovës Bashkimit Evropian për periudhën kalimtare deri në pavarësi të plotë. //ze//

XS
SM
MD
LG