Lidhje

Detroit dhe fenomeni i tkurrjes së qyteteve


Qytetet e mëdha të botës, me numrin e banorëve që rriten vazhdimisht, kanë tërhequr shpeshherë vëmendjen e shtypit, por një tjetër fenomen urban po ndikon mjaft në planetin tonë. Shumë qytete të botës po përjetojnë rënie. Arsyet janë të shumta, por pasoja e saj tek mjedisi janë shkatërrimtare. Një ekspozitë ndërkombëtare arti përqëndrohet pikërisht tek ky fenomen, duke i hedhur një vështrim shkaqeve të tkurrjes së qyteteve dhe mundësisë së riparimit.

Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, qindra qytete nga e gjithë bota kanë përjetuar rritje fenomenale. Gjatë së njëjtës periudhë, megjithatë, dhjetra qytete kanë pësuar tkurrje. “Projeki i qyteteve që tkurren” i hedh një vështrim këtij fenomeni urban, duke u fokusuar tek rënia, apo degradimi i 4 prej qyteteve të botës: Detroitit, në Miçigan, Laipcigu në Gjermani, Mançesteri dhe Liverpuli në Britani dhe Ivanovi në Rusi, nëpërmjet përdorimit të një numri mjetesh komunikimi.

Ekspozita u hap kohët e fundit në Detroit të Miçiganit, ku u paraqit në dy qendra të ndryshme, në Muzeun e Artit në Cranbrook dhe në Muzeun Bashkëkohor të qytetit. Mitch Cope i këtij muzeu, shpjegon objektet e veçanta të ekspozitës. "Ekspozita të jep kontekstin ndërkombëtar të qyteteve dhe rajoneve që janë tkurrur, në se shkak kanë qenë luftrat apo në se ato janë shkatërruar në epokën industriale. Ka edhe faktorë të tjerë, si fatkeqësitë e mjedisit dhe ato natyrore, të cilat kanë shkaktuar tkurrjen e qyteteve".

Në Detroit, për tkurrjen e qytetit fajësohen shumë faktorë, mes tyre edhe mbyllja e disa fabriake të industrisë së rëndë, krimi dhe sipas zotit Cope, edhe për shkak të një autostrade të vendosur në vend të keq.

Por në qytetet që po përjetojnë tkurrjen nuk ka humbur gjithshka. Vitet e fundit, rënia e popullsisë së Detroitit është ngadalësuar, me ardhjen atje të imigrantëve dhe të të rinjve. Gregory Wittkopp, Drejtor i Muzeut Cranbrook të Artit, thotë se janë artistët ata që u kanë hapur rrugën banorëve të rinj qytetit. " Po t’u hedhësh një vështrim qyteteve të tjera të botës, janë pikërisht artistët që kanë dalluar veçoritë e një lagjeje, janë vendosur atje dhe duke ndikuar që njerëzit të ndryshojnë mendim për atë lagje", thotë zoti Wittkopp.

Vetë Muzeu i Artit Bashkëkohor të Detroitit është një përpjekje për rigjallërimin e qytetit. Ishte drejtoresha Marsha Miro, që e dha idenë e shndërrimit të një magazine të vjetër në Muze. "Ideja e qytetit vazhdon të lidhet me muret, me ndërtesat. Kur e meremetuam ndërtesën e magazinës për ta kthyer në muze, ruajtëm shumë prej detajeve karakteristike, industriale të saj", thotë Miro.

Veç paraqitjes të së shkuarës, “Projekti për Qytetet që Tkurren” kërkon mënyra të reja rigjallërimi në jetën e zonave urbane. "Në Detroit, kemi një numër të madh njerëzish, të cilët merren me aktivitet bujqësor në qytet, të cilët kanë në pronësi, apo përdorin tokën përreth shtëpisë së tyre, që e mbjellin me bimë bujqësore. Pra, vërejmë një prirje drejt kultivimit të bujqësisë në oborret e shtëpive qytetare". Ekspozita “Projekti i Qyteteve që Tkurren” ka shkuar në disa vende të botës. Muajt e ardhshëm ekspozita është në plan të hapet, në disa qytete gjermane dhe në fillim të vitit të ardhshëm, në Rusi, në qytetin e Shën Peterburgut.

XS
SM
MD
LG