Lidhje

Përleshje mes protestuesve dhe policisë në prag të takimit të Tetëshes

  • Ivana Gergeli

Njoftohet për përplasje të reja mes protestuesve dhe policisë në Rostok të Gjermanisë, në prag të takimit të Tetëshes që do të zhvillohet në qytetin turistik të Hailigendamit aty pranë. Sipas autoriteteve, rreth 400 vetë qëlluan policinë me shishe ndërkohë që protestonin kundër kufizimeve ndaj azilantëve në vendet e Tetëshes. Takimi i nivelit të lartë zhvillohet nga 6 deri më 8 qershor, por periferia e këtij qyteti të qetë buzë Detit Baltik përgatitet njëkohësisht të presë dhjetra mijë demonstrues nga e gjithë bota.

Ata kanë ardhur nga e gjithë bota për të shprehur mendikmin e tyre. Të 100 mijë protestuesit që priten këtu nuk janë një grup homogjen – ata luftojnë për çështje të ndryshme: nga zbutja e varfërisë dhe sida e deri te lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe korrupsionit në qeveri.

Ndonëse mosha, aspiratat dhe pikpamjet e tyre ndryshojnë shumë, protestuesit duket se kanë një gjë të përbashkët:

"Për mendimin tim, takimi i Tetëshes lidhet me disa zhvillime në botë që nuk më pëlqejnë prandaj kam ardhur këtu me shumë të tjerë për të thënë se nuk na gëzojnë këto që po ndodhin në botë".

Mihaeli, student i politikës në Gjermani, synon të qendrojë një javë në Hailigendam për të protestuar, ndërkohë që udhëheqësit kryesorë politikë të Tetëshes mbajnë takimin e tyre të nivelit të lartë.

Për të sistemuar numrin e madh të veprimtarëve politikë, grupe vullnetarësh kanë ngritur atë që i quajnë “kampe demonstruesish”. Të shtrirë në një rreze prej 25 kilometrash nga vendi i takimit, gjashtë qytete tendash pritet të strehojnë deri në 50 mijë njerëz gjatë kësaj jave. Protestuesit hanë, flenë dhe qendrojnë atje falas, megjithëse atyre u kërkohet të dhurojnë nga 5 dollarë në ditë për të mbuluar shpenzimet, nëse kanë mundësi.

Sasha, studente e juridikut nga qyteti Rostock aty pranë, ndihmoi për organizimin e kampeve:

"Ata janë nga e gjithë bota: Ka amerikanë, gjermanë, njerëz nga Holanda, nga Franca, Spanja dhe nga Afrika. Ka një larmi të madhe, zhvillohen veprimtari kulturore, ka muzikë, pjesë teatrale dhe kinema. Ka grupe diskutimesh politike dhe sociale. Ndërkohë, njerëzit këtu gjejnë qetësi dhe përgatiten për ditën tjetër".

Kampet e demonstruesve kanë dushe dhe objekte sanitare, shesh lojrash për fëmijët, bare dhe fusha sportive. Ushqimi është vegjetarian por sipas organizatorëve, shumë banorë vendas kanë sjellë ëmbëlsira në shenjë mirseardhjeje për protestuesit. Policia nuk përzihet me kampet e protestuesve. Por rreth objekteve të përkohëshme ka një prani të madhe policie.

Zëdhënësi i policisë së Rostockut Axel Folkenberg thotë se shumica e protestuesve janë paqësorë, njerëz që përpiqen të shprehin atë që nuk u pëlqen në botë. Por, shton Folkenberg, jo të gjithë demonstruesit janë të tillë.

"Ka disa prej tyre që janë të gatshëm të përdorin dhunën. Ata nuk kanë të bëjnë fare me takimin e Tetëshes, ata kryesisht kërkojnë konfrontim me policinë ashtu siç bënë kohët e fundit në Hamburg dhe Berlin apo të shtunën në Rostock".

Ndonëse disa demonstrues protestojnë për bindjet e tyre të thella, të tjerët mund të kenë motive më të thjeshta. Megjithatë, ashtu siç provon edhe ky demonstrues me katër këmbë, zona përrreth Hailigendamit është kthyer këto ditë në kryeqytetin botëror të protestuesve. //iç//

XS
SM
MD
LG