Lidhje

Presidenti Bush mbërriti në Gjermani për takimin e Tetëshes


Presidenti Bush mbërriti në Gjermani, ku nesër në vend pushimin Hajligendam të Detit Balltik hap punimet takimi 3-ditor i nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes.

Presidenti Bush shkoi në Gjermani nga Praga, ku kritikoi Rusinë se po bën hapa prapa në reforma dhe vuri në dukje se Kina po i reziston hapjes politike.

Presidenti tha në një konferencë të veprimtarëve demokratë në Pragë se ata që ndjekin demokracinë do të kenë mbështetjen e palëkundur amerikane. Ai vlerësoi lart vendet ish komuniste të Evropës Lindore për mbështetjen e lëvizjeve demokratike.

Presidenti Bush vuri në dukje se reformat në Rusi që dikur premtonin të fuqizonin qytetarin, janë minuar dhe se kjo do të ketë pasoja shqetësuese për zhvillimin demokratik. Ai kritikoi gjithashtu udhëheqësit e Kinës që përpiqen të hapin ekonominë e vendit pa hapur sistemin e tyre politik.

Para kësaj, Presidenti Bush zhvilloi bisedime në Pragë me udhëheqësit kryesorë të Republikës Çeke. Republika Çeke është ndalesa e parë e Presidentit Bush në kuadër të turneut në 6 vende evropiane që përfshin edhe Shqipërinë.

Gjatë vizitës në Çeki, Presidenti Bush tha se planet e Shteteve të Bashkuara për dislokimin e një sistemi për mbrojtjen nga raketat në Evropë nuk përbëjnë kërcënim për Rusinë ndërkohë që Presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se ky sistem shënon fillimin e një gare të re armatimesh.

“Rusia nuk është armiku ynë. Armiku i shoqërive të lira si tonat do të ishin radikalët ose ekzstremistët ose një regjim i papërgjegjshëm që përpiqet t’i bëjë shantazh botës së lirë me synimin për të çuar përpara objektivat e tij ideologjike.”

Presidenti Bush i bëri këto komente në Pragë, pas bisedimeve me presidentin çek, Vacllav Klaus dhe me kryeministrin Mirek Topolanek.

Presidenti amerikan tha se do t’ia përcjellë këtë mesazh presidentit rus Vladimir Putin se dy vendet mund të bashkëpunojnë lidhur me kërcënimet që i kanosen të dy vendeve.

Marrëdhëniet amerikano-ruse janë tendosur kohët e fundit si rezultat i një numër mosmarrëveshjesh, përfshirë sistemin e propozuar nga Uashingtoni për mbrojtjen nga raketat në Evropë, statusi i Kosovës, zbrapsja e demokracisë në Rusi si dhe retorikat në rritje të Kremlinit kundër Uashingtonit.

Kremlini është krejtësisht kundër dislokimit të sistemit mbrojtës nga raketat në Evropë, madje presidenti Putin paralajmëroi dje se Rusia mund të ndërmarë hapa hakmarrës, nëse Uashingtoni këmbëngul për ndërtimin e këtij sistemi.

Anketat e opinionit në Republikën Çeke tregojnë se mbi 60 përqind e të anketuarve kundërshtojnë planet amerikane, shumë prej tyre nga frika se do të shtojë tensionet me Rusinë. Edhe në Poloni, opinioni është kundër dislokimit të sistemit mbrotjës nga raketat. Këto dy vende ende po negociojnë me Shtetet e Bashkuara lidhur me dislokimin apo jo të sistemit mbrojtës.

Presidenti Bush u përpoq të mos i kundërpërgjigjej qëndrimit të Rusisë, i cili ka mjegulluar udhëtimin e tij në Evropë. Ai tha se çekët nuk kanë pse të zgjedhin mes Amerikës dhe Rusisë.

“Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Populli i Republikës Çeke nuk ka pse të zgjedhë që të jetë mik i Amerikës apo i Rusisë. Populli çek mund të jetë mik i të dy vendeve.”

Presidenti çek, Vacllav Klaus, tha se zhvilloi diskutime të hapura e të sinqerta me zotin Bush, madje shtoi se mes dy vendeve ekziston një mirëkuptim i përbashkët lidhur me çështje e sistemit mbrojtës nga raketat.

Organizatorja e takimi të nivelit të lartë në Hajligendam, kancelarja gjermane Angela Merkel e ka vënë çështjen e ndryshimeve klimaterike në krye të rendit të ditës. Por nuk ka të ngjarë që në luftën kundër ngrohjes globale të arrihen rezultate, meqë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë mosmarrëveshje lidhur me mënyrën si ta zgjidhin këtë problem në rritje.

Kancelarja gjermane dëshiron që Grupi i Tetëshes të bjerë dakord mbi standarte specifike, duke përfshirë edhe kufizimin e ngrohjes globale në dy gradë Celsius gjatë këtij shekulli. Por Uashingtoni nguron të pranojë kufizime të tilla, duke këmbëngulur se edhe ekonomi të reja të tilla si ajo e Kinës dhe Indisë duhet të respektojnë standartet. Por analistët thonë se bisedimet midis presidentit Bush dhe homologut të tij rus Putin ka të ngjarë të tërheqin vemendjen kryesore rreth takimit të Tetëshes.

Në kuadër të turneut të tij në Evropë, presidenti Bush do të shkojë edhe në Poloni, Itali, Shqipëri dhe Bullgari. //ze//

XS
SM
MD
LG