Lidhje

Fillon takimi i nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes


Udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara hapën takimin e tyre vjetor të nivelit të lartë në Gjermaninë veriore në një klimë tensionesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i përshëndeti kolegët e saj në qytetin turistik të Hailigendamit të cilët morën pjesë në një banket zyrtar. Para kësaj, Presidenti Bush nuk u kushtoi rëndësi kërcënimeve të Rusisë për të ripozicionuar raketat në drejtim të Evropës.

Presidenti u tha gazetarëve se nuk ekziston nevoja për një përgjigje ushtarake amerikane ndaj kërcënimeve të presidentit rus Vladimir Putin. Presidenti Bush tha se “Rusia nuk është armike, Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Rusinë dhe Rusia nuk është një kërcënim ushtarak.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Putin kërcënoi se vendi i tij mund të ripozicionojë raketat si kundërpërgjigje ndaj planit amerikan për instalimin e një sistemi kundër raketave në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Zyrtarët amerikanë thonë se arsenali gjigand i Rusisë mund ta mposhtë me lehtësi sistemin mbrojtës prej 10 raketash. Ata ngulin këmbë se ky sistem synon të përballojë kërcënimet që vijnë nga shtete të tilla të papërgjegjëshme si Irani dhe Koreja e Veriut.

Presidentët Bush dhe Putin pritet të diskutojnë mbi këtë çështje nesër në një takim të mbyllur për mediat. Ndërkohë, në një takim që patën sot, Presidenti Bush dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, shprehën optimizëm lidhur me shanset për marrëveshje në çështje të tilla si ndihma për Afrikën dhe ndryshimet klimatike. Takimi i nivelit të lartë të Tetëshes pritet të zgjasë 3 ditë.

Policia gjermane përdori pompa uji ndërsa u përball me mijëra protestues përjasha vendit, ku zhvillohet takimi i nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në pikën turistike Hailigendam të detit Balltik.

Policia tha se i përdori pompat e ujit pasi protestuesit filluan të qëllonin policinë me gurë. Të paktën 8 policë u plagosën. Deri në orët e mbasdites së sotme, autoritetet thanë se protestuesit kishin bllokuar të tre rrugët kryesore që lidhin Rostokun, afër vendit të takimit, me aeroportin lokal.

Policia tha se ka në plan të largojë nga zona rreth 9 mijë protestues, që vazhdonin të bllokonin rrugët kryesore, që të çojnë në Hailigendam. Në një zhvillim të lidhet me takimin e Tetëshes, Gjykata Kushtetutore e Gjermanisë mbajti në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët lidhur me protestat e planifikuara për nesër përjashta një gardhi 12 kilometra të gjatë që rrethon Hailigendam. Por disa protestues kishin mbrritur në vendin e takimit para se gjykata të merte këtë vendim.//rd//

XS
SM
MD
LG