Lidhje

SHBA: Debati i kandidatëve republikanë presidencialë


Dhjetë kandidatë republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 zhvilluan mbrëmë një debat televiziv në shtetin New Hampshire, lidhur me një numër çështjesh, që nga Iraku, e deri tek reforma e imigracionit. Senatori Sam Brownback e shfrytëzoi debatin për të bërë thirrje për një zgjidhje e cila do të kërkonte formimin e tre shteteve të veçanta në Irak. Nga ana e tij, Senatori John McCain u bëri thirrje amerikanëve, që t’i japin strategjisë aktuale ndaj Irakut, shansin për të patur sukses.

Presidenti Bush u bë mbrëmë objekt kritikash nga ana e kandidatëve republikanë për president, të pakënaqur me mënyrën e drejtimit të luftës në Irak, me stilin e tij diplomatik dhe me politikën për imigracionin. Një pjesë e mirë e debatit që u mbajt në qytetin Manchester të shtetit New Hampshire dhe u moderua nga rrjeti CNN, u përqendrua tek Iraku.

Senatori nga Arizona John McCain u duartrokit nga të pranishmit kur ai iu përgjigj një pyetjeje për luftën në Irak me kritika për kandidaten kryesore demokrate për president, Senatoren Hillary Rodham Clinton të Nju Jorkut. MCCAIN "Senatorja Clinton thotë se kjo është lufta e zotit Bush por kur presidenti Clinton ishte në fuqi unë nuk thashë për ndërhyrjen në Bosnje se ajo ishte lufta e Presidentit Clinton, kur ne ndërhymë në Kosovë, nuk thashë se kjo ishte lufta e Presidentit Clinton," tha ai.

Senatorja Clinton, tha zoti McCain, nuk e kupton se nuk janë presidentët apo partitë politike ata që i humbasin luftrat. "Janë shtetet që i humbasin luftrat dhe shtetet mbajnë pasojat e disfatës. Ne duhet patjetër të fitojmë në këtë konflikt”, tha senatori nga Arizona.

Senatori McCain kritikoi gjithashtu administratën për mënyrën e drejtimit të luftës në Irak. "Do t’ju flas hapur. Kjo luftë u keqdrejtua për një kohë të gjatë dhe amerikanët kanë bërë sakrifica të shumta, disa prej të cilave nuk ishin të nevojshme,” tha senatori McCain.

Ish guvernatori i shtetit Massachusetts Mitt Romney kohët e fundit ka filluar të bëjë kritika për luftën në Irak. "Ne bëmë atë që duhej, bazuar mbi atë që dinim në atë kohë. Mendoj se ne bëmë gabime pas rrëzimit të qeverisë së Sadamit,” tha zoti Romney.

Debati u përqendrua edhe tek Irani. Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolph Giuliani tha se për Shtetet e Bashkuara është e papranueshme që Irani të zotërojë fuqi bërthamore. Ai kritikoi demokratët se e kanë nënvlerësuar çështjen e Iranit. "Gjatë debatit të tyre, demokratët dukej sikur ishin kthyer në vitet 90, ata nuk duket se kanë kapërcyer Luftën e Ftohtë,” tha zoti Xhuliani. "Irani është një kërcënim, një kërcënim bërthamor, dhe jo thjesht sepse ata mund të lëshojnë një mbushje bërthamore me raketa. Ata janë kërcënim bërthamor sepse janë shteti më i madh që nxit terrorizmin dhe mund t’u japin terroristëve materiale bërthamore."

Në debat morën pjesë 10 kandidatë republikanë për president me përjashtim të ish senatorit Fred Thompson të shtetit Tennessee, një aktor i cili duket i gatshëm të hyjë në garë pas një muaji. Kritikat ndaj Klintonit dhe demokratëve ishin diçka standarde për kandidatët republikanë. Por kritikat e tërthorta ndaj presidentit republikan Bush, i cili ndodhet në Evropë, ishin pasqyrim i dëshirës që një pjesë e njerëzve brenda partisë së tij kanë për të kandiduar me platformën e ndryshimit. //rd//

XS
SM
MD
LG