Lidhje

Rajerson: Shqipëria - vend mik dhe aleat i rëndësishëm për SHBA

  • Intervistoi: Ikonomi

Ish ambasadori amerikan në Tiranë, William Rajerson thotë se Presidenti Bush shkon në Shqipëri sepse ky është një vend mik dhe një aleat i rëndësishëm. I intervistuar nga Zëri i Amerikës, zoti Rajerson, ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, thotë se vendi ka bërë përparime të ndjeshme. Ai komenton gjithashtu për vemendjen që kjo vizitë sjell përsa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës.

William Rajerson ka qenë dëshmitar i afërt i një ngjarjeje që i habiti diplomatët dhe politikanët amerikanë të kohës: pritja e paparë që shqiptarët i rezervuan sekretarit të shtetit James Baker më 22 qershor 1991. "Mendoj se kjo ishte dashuria e grumbulluar dhe e pashprehur deri atëhere për Shtetet e Bashkuara. Ishte një ngjarje jashtëzakonisht emocionante. Ishte emocionante për pothuajse të gjithë."

Pak muaj më vonë, zoti Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan në Shqipërinë që po dilte nga komunizmi. 16 vjet pas asaj ngjarjeje, zoti Rajerson thotë se Shqipëria ka përparuar mjaft dhe vizita që do të bëjë Presidenti Bush është një dëshmi e këtij përparimi. "Në përgjithësi, presidentët nuk shkojnë në vende të vogla ku ka probleme serioze politike ose të sigurisë. Pra është një ngjarje që tregon se Shtetet e Bashkuara gjykojnë se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Është një rast për t’u thënë shqiptarëve: vazhdoni kështu. Është si të thuash vula e miratimit. Natyrisht vendeve nuk u duhet miratimi i vendeve të tjera për politikat që ndjekin. Por në një kuptim është njohje e faktit se Shqipëria ka ecur shumë që nga koha kur zoti Bejker ishte atje."

Përse Presidenti Bush zgjodhi Shqipërinë për këtë vizitë? Për ambasadorin Rajerson kjo nuk përbën ndonjë habi: "Është një vend mik, një aleat i rëndësishëm për ne. Në Ballkan ka probleme të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin politik në Shqipëri dhe vizita mund të shihet si inkurajim në këtë aspekt."

Ky zhvillim politik po vihet përsëri përpara një prove: zgjedhja e presidentit të ri të vendit në muajin korrik, çështje që vëzhguesit thonë se mund ta fusë përsëri në krizë politikën shqiptare. "Shpresoj se Shqipëria do ta gjejë vetë rrugën politike pa hyrë në një krizë të re. Natyrisht, e gjithë ajo zhurmë që kemi parë deri tani tregon se do të jetë çështje e vështirë për t’u zgjidhur politikisht. Unë kam mendimin tim se kush mund të ishte një president i mirë por kjo u takon shqiptarëve ta vendosin. Nuk shikoj asnjë arësye se përse duhet krijuar një krizë."

Ambasadori Rajerson është një vëzhgues i kujdesshëm i asaj që ndodh në Ballkan dhe beson se vizita e Presidentit Bush do të sjellë një vemendje më të madhe drejt statusit të Kosovës. "Tani që çështja e Kosovës është në pritje të veprimeve kritike të cilat do të ndodhin shumë shpejt, mendoj se ka rëndësi që kjo çështje të marrë një vemendje më të madhe. Sigurisht që problemi nuk është në Ballkan. Problemi përsa i përket propozimit Ahtisari është te Moska dhe askund tjetër."

Rusia, shpjegon ambasadori, kërkon të afirmojë veten. Asaj iu hoq statusi i së ashtuquajturës superfuqi e barabartë dhe tani kërkon të sfidojë politikisht perëndimin. "Nuk mendoj se në vështrimin afatgjatë Rusia është e interesuar në paqendrueshmërinë e Ballkanit. Dhe nëse ata e sabotojnë pavarësinë për Kosovën, në çfarëdo mase qoftë, kjo do të nxiste paqendrueshmëri dhe do të ishte kundër interesave të tyre."

Të krijosh probleme për hir të interesave të çastit, thotë ambasadori, kjo mund të sjellë përfitime politike. Por ai shpreson se mendjet e arësyeshme në Rusi do të fitojnë. Vizita e Presidentit Bush në një vend fqinj me Kosovën, thotë ambasadori Rajerson , tërheq vemendjen pikërisht tek ky problem, tek rëndësia e Ballkanit në panoramën e përgjithshme të gjërave.//ii

XS
SM
MD
LG