Lidhje

Moisiu: Vizita e Presidentit Bush do të përmirësojë imazhin e Shqipërisë

  • Intervistoi Xhixho

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, thotë se vizita e Presidentit Bush, pa dyshim që do ta ndihmojë Shqiperinë, duke i dhënë imazhin e një vendi të qëndrueshëm dhe demokratik dhe shprehu besimin se ajo do t'i shërbejë edhe klasës politike shqiptare që të jetë e kujdesshme për zgjidhjen e problemeve te zhvillimit demokratik. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, Presidenti Moisiu thotë gjithashtu se vizita e presidentit amerikan është edhe një mesazh për shqiptarët e Kosovës, që të tregohen të duruar, në pritje të zgjidhjes së statusit.

Zëri i Amerikës: Vizita e Presidentit Bush është thënë shpesh se është një vizitë e rëndësishme dhe historike dhe njerëzit e presin atë me kënaqësi, ndoshta të lodhur nga konfliktualiteti politik në vendin tuaj. Çfarë prisni ju nga kjo vizitë?

President Alfred Moisiu: Ju e thatë drejt: kjo vizitë i ka të gjitha përmasat e një vizite historike për faktin se është hera e parë që vjen në vendin tonë një president në detyrë i Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që është një vlerësim i madh për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët, për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo vizitë ka rolin e saj edhe për faktin që Shtetet e Bashkuara kanë një pozicion të veçantë në zemrën, në mendjen dhe në historinë e shqiptarëve. Shtetet e Bashkuara janë një vend që njihet nga të gjithë shqiptarët si vend që ka kontribuar për formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar që në zanafillën e tij, në mënyrë të veçantë pas Luftës së Parë Botërore. Dihet historia jonë, kur Shqipëria gati po coptohej e tëra, edhe ajo që kishte mbetur. Ndërhyrja e Presidentit Uillson në Lidhjen e Kombeve krijoi mundësitë që Shqipëria të jetë ajo që është sot. Në të njëjtën kohë, duhet thënë që përsa i përket Kosovës, roli i Shteteve të Bashkuara është i veçantë dhe kjo Kosovë që është sot nuk mund të ishte kështu si është nëse nuk do të ishte ndërhyrja e Amerikës. Por Shtetet e Bashkuara kanë dhënë edhe një ndihmë të madhe për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe vazhdimisht japin mbështetje. Pra, kjo vizitë është pikërisht në kuadrin e kësaj mbështetjeje, për të ndërtuar një shtet të vërtetë demokratik, një shtet të së drejtës, një shtet me institucione të pavarura dhe një shtet i cili vepron ashtu siç duhet, për të merituar integrimin edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Anëtarësimi në NATO është njëri nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë. Megjithatë, Presidenti Bush përpara se të nisej për udhëtimin në Evropë, i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të punojë intensivisht për të plotësuar detyrimet që duhen përmbushur para se të marrin ftesën. A mendoni ju se Shqipëria do të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në NATO?

President Alfred Moisiu: Interesimi dhe mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO ka qenë maksimale në kuptimin e hartimit të një plani dhe programi të studiuar për të hedhur hapat e duhura për sa i përket plotësimit të detyrave që kërkohen për integrimin në një strukturë siç është NATO-ja. Patjetër që sidomos përsa u përket forcave të armatosura ne kemi patur një mbështetje shumë të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si materiale ashtu edhe njerëzore, duke dërguar këtu ekipe të ndryshme me të cilët janë ndihmuar forcat e armatosura për të arritur standardet e kërkuara nga NATO-ja. Por patjetër këtu është edhe detyra jonë. Nëqoftëse ne përsa u përket forcave të armatosura vërtet kemi hedhur hapa serioze dhe të mira, shtylla tjetër, që përfshin kërkesa për t’u anëtarësuar në NATO janë zhvillimet politike, janë reformat politike, reformat në tërësi. Mendoj se këtu kemi akoma punë për të bërë dhe gjykoj se ardhja e Presidentit Bush në Shqipëri do të jetë një forcë shtytëse për ta angazhuar politikën shqiptare për të punuar më mirë, për të punuar më drejt dhe në mënyra më demokratike për të zgjidhur çështjet që duhen që reformat të ecin me hapiun e duhur dhe ne ta meritojmë plotësisht anëtarësimin në NATO. Unë shpresoj që politika shqiptare do t’i vlerësojë këto përpjekje të SHBA dhe këtë ndihmë jo vetëm konkrete dhe reale por të sinqertë. Është vërtet një ndihmë dhe mbështetje shumë e sinqertë që ne të përgatitemi për t’u aderuar dhe të marrim ftesën, siç mendojmë, për vitin 2008 për integrimin në NATO.

Zëri i Amerikës: Për një vend si Shqipëria e cila është ende duke konsoliduar demokracinë dhe institucionet e saj, një problem që vihet re shpesh është çështja e imazhit të Shqipërisë e dëmtuar jashtë vendit. Një vizitë e tillë e rangut të lartë si ajo e Presidentit Bush pa dyshim do ta ndihmojë Shqipërinë duke i dhënë imazhin e një vendi të qendrueshëm dhe demokratik. Megjithatë, një pjesë e analistëve thonë se më shumë se çdo gjë tjetër, imazhin e Shqipërisë do ta ndihmojë vetë klasa politike, qendrimi që ajo mban këtu brenda.

President Alfred Moisiu: Keni të drejtë se imazhi i Shqipërisë është dëmtuar, flas në tërësi në botën e huaj mediatike. Këtu dua të evidentoj dy gjëra: janë problemet tona, mangësitë tona, gabimet tona mund të thuash pa frikë por njëkohësisht ka edhe një farë ekzagjerimi të disa fenomeneve të shqiptarëve që banojnë dhe punojnë jashtë shtetit në emigracion. Pavarësisht, ne duhet të marrim atë që na intereson neve, të rregullojmë atë që kemi në dorë vetë. Kjo që kemi në dorë vetë ne është që klasa politike shqiptare të jetë më e vëmendëshme në zgjidhjen e këtyre problemeve të brendëshme dhe unë shpresoj dhe mendoj se pikërisht vizita kaq të rëndësishme siç është vizita e Presidentit Bush do ta ndihmojnë klasën politike shqiptare që të jetë më e kujdesshme për zgjidhjen e problemeve të zhvillimit demokratik që normalisht i ka çdo vend në tranzicion por ne i kemi patur dhe i kemi pak më të stërzgjatura. Kam bindje dhe shpresë se qytetarët shqiptarë të cilët janë më të avancuar përsa i përket mirëkuptimit mes njëri-tjetrit për zgjidhjen e problemeve me një mënyrë më civile, më demokratike, do të ndikojnë njëkohësisht edhe në veprimtarinë e forcave politike të vendit, qofshin partitë politike, parlamenti, ekzekutivi apo politikanët shqiptarë në tërësi, që vërtet të jenë më të përgjegjshëm përsa i përket zgjidhjes së problemeve aktuale.

Zëri i Amerikës: Një nga temat kryesore që pritet të diskutohet gjatë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri është edhe çështja e Kosovës. Çfarë rëndësie do të ketë kjo vizitë për çështjen e Kosovës tashmë kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të përcaktimit të statusit të saj.

President Alfred Moisiu: Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pakrahasueshëm. Nuk dua të mohoj rolin e vendeve të tjera evropiane sepse edhe ky rol qendron. Dihet që politika e Millosheviçit shkoi deri aty sa qindra-mijra kosovarë u shpërngulën nga vatrat e tyre, mijra u vranë dhe u persekutuan, pra e gjithë kjo situatë çnjerëzore në fund të shekullit të 20 nuk mund të tolerohej më. Dje ishin vërtet Shtetet e Bashkuara që vunë dorë dhe arritën që Kosova të çlirohej. Sigurisht, jo të gjitha gjërat janë zgjidhur. Në fund të fundit, ka tetë vjet që lufta ka mbaruar në Kosovë dhe Kosova është ende diçka e papërcaktuar, gjë që dëmton shumë edhe zhvillimin e saj ekonomik por edhe të ardhmen dhe statibilitetin në rajon. Unë gjykoj që plani i Ahtisarit, si i deleguari i Kombeve të Bashkuara, është një plan shumë real dhe i mirëpritur nga gjithë shqiptarët, si nga politika ashtu edhe nga populli shqiptar. Ne e mbështesim këtë plan si të vetmen zgjidhje reale që mund të ofrohet për qetësimin e situatës së tanishme në rajonin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë një rol shumë të madh sepse siç dihet zbatimi i këtij plani ka hasur në kundërshtime veçanërisht nga ana e Rusisë. Mendoj se ardhja e Presidentit Bush në Shqipëri në një situatë të tillë është një mesazh që shërben shumë edhe në këtë drejtim, qoftë për të shpejtuar zgjidhjen por është një mesazh edhe për vetë shqiptarët e Kosovës që të jenë më të përmbajtur, më të duruar në mënyrë që të presim zgjidhjen më të pranueshme, një zgjidhje që sipas mendimit të OKB-së, Kosova të arrijë pavarësinë në mënyrë që mos të kemi pasoja të tjera të papëlqyeshme në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, për ju personalisht, çfarë nënkupton vizita e Presidentit Bush në Shqipëri?

President Alfred Moisiu: Sigurisht, si gjithë shqiptarët edhe unë kam ndjenjat e mija personale për këtë vizitë kaq të rëndësishme, kaq të dëshiruar dhe kaq të mirëpritur. Mund të them që kam patur fatin ta takoj Presidentin Bush që në muajt e parë të mandatit tim në nëntor të vitit 2002 në Pragë, në samitin e NATO-s dhe atje kemi biseduar për problemin e integrimit por edhe për problemin e Kosovës. Gjithashtu, gjatë mandatit tim kam patur disa takime me Presidentin Bush, të shkurtra sigurisht. Një takim shumë i rëndësishëm ka qenë takimi gjatë pjesmarrjes sime vitin e kaluar në tryezën e demokracisë në Nju Jork, ku Presidenti Bush më inkurajoi vërtet për të punuar më tej me kurajo për ndërtimin e shtetit ligjor, për mbrojtjen e institucioneve të pavarura. Ardhja e tij këtu si kryetar i shtetit amerikan por mund të themi edhe si miku im, është një inkurajim jo vetëm për punën time por edhe për gjithë punën e politikanëve shqiptarë që këtë vend ta çojmë përpara sa të jetë e mundur më shpejt. Mund të them gjithashtu se gjatë mandatit tim, Shqipëria u bë një aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në fillim në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar me kontributin që ne kemi dhënë e vazhdojmë të japim me trupat tona në Irak dhe në Afganistan. Unë i kam vizituar trupat tona edhe në Irak edhe në Afganistan, kam patur kontakte atje me komandatët amerikanë dhe të NATO-s dhe duhet të them se është vlerësuar së tepërmi kontributi i ushtarakëve tanë në këto vende edhe nga ana profesionale por edhe nga ana e vendosmërisë së djemve tanë për të zbatuar detyrat e ngarkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju faleminderit.

President Alfred Moisiu: Faleminderit edhe juve dhe të gjithë së bashku ta mirëpresim këtë vizitë. //kk//

XS
SM
MD
LG