Lidhje

Presidenti Bush bën vizitë historike në Shqipëri


Presidenti Bush tha sot gjatë vizitës në Shqipëri se ka ardhur koha që të vendoset fati i Kosovës. Ai tha se të gjitha bisedimet për statusin e saj duhet të kenë si objektiv një lloj pavarësie.

Duke folur sot në Tiranë, gjatë vizitës së parë të një presidenti amerikan në Shqipëri, zoti Bush tha se është i shqetësuar që nuk po realizohet ajo që duhet në Kosovë ku shumica shqiptare kërkon pavarësinë.

Zoti Bush tha se propozimi që bëri javën e kaluar Presidenti francez Nicola Sarkozy për një shtyrje 6 mujore në zbatimin e planit për pavarësi të mbikqyrur do të funksiononte vetëm nëse krijimi i shtetit të pavarur mbetet objektivi përfundimtar.

“Varianti i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe mendoj për shumicën e Grupit të Tetëshes, që cilido qoftë procesi të arrihet një lloj pavarësie. Kjo është e rëndësishme të dihet”.

Presidenti u kërkoi gjithashtu udhëheqësve të Shqipërisë të punojnë me shqiptarët e Kosovës për të ruajtur paqen dhe qetësinë derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të jetë gati të votojë për planin e pavarësisë.

Vizita e presidentit Bush në Shqipëri është pjesë e turneut të tij tetë ditor në Evropë, gjatë të cilit mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të Tetëshes.

“Shqiptarët e njohin tmerrin e tiranisë, kështuqë ata po punojnë që t’u sjellin lirinë njerëzve që nuk e kanë njohur atë. Kjo është një përpjekje fisnike dhe një sakrificë, një sakrificë që unë e vlerësoj. Shqipëria ka dërguar 120 nga komandot e saj elitë në Irak. Unë pata privilegjin të takoj disa nga ushtarët shqiptarë. U thashë atyre që ushtria jonë i respekton që Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë kontributin e tyre. Po ashtu edhe qytetarët irakianë. U thashë gjithashtu që të falenderojnë gratë dhe fëmijët e tyre në emër të Shteteve të Bashkuara”, tha Presidenti Bush në një konferencë shtypi me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha. //kk//

XS
SM
MD
LG