Lidhje

Pritje madhështore në Shqipëri për Presidentin Bush


Ishte një pritje siç i kishte hije presidentit të parë amerikan që viziton vendin buzë Adriatikut. Dhe qeveria shqiptare bëri ç’ishte e mundur për të shfaqur entusiazmin ndaj Presidentit Bush.

Pankartat që përshëndetnin vizitën ishin vendosur kudo në rrugën ku do të kalonte Presidenti nga aeroporti dhe në të dyh anët e rrugës shikoje njerëz që mbanin kapelën e gjatë kuq e blu. Presidenti Bush është portretizuar në tre pulla shqiptare ndërsa një rruge përballë ndërtesës së Parlamentit iu vu emri i tij.

Kjo vizitë përbën një ndryshim të madh krahasuar me ndalesat e tjera të Presidentit Bush në turneun e tij europian, ku ai u prit me protesta kundër luftës, si në Gjermani dhe në Itali.

Shqipëria mbështet veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe në Irak. Qeveria ka vendosur ta trefishojë angazhimin me trupa në Afganistan duke e çuar në shifrën 140 dhe thotë se do të mbajë rreth 120 trupa në Irak për aq kohë sa do të nevojiten.


Kryeministri Sali Berisha tha nga ana e tij se shqiptarët janë krenarë për rolin e tyre në luftën kundër terrorizmit.


Ju siguroj, tha ai, se ata do të jenë në anën tuaj kudo që të nevojitet kontributi i tyre modest por i vendosur kundër terrorizmit ndërkombëtar – armiuku më i rrezikshëm i popujve të lirë.

Presidenti Bush tha se është mirënjohës për trupat shqiptare që shërbejnë në Irak dhe në Afganistan dhe falenderoi familjet e tyre për mbështetjen që japin.

Ai e lavdëroi Shqipërinë për punën e bërë drejt anëtarësimit në NATO duke kryer reforma politike dhe ushtarake si dhe duke arritur përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"E vlerësoj faktin që Shqipëria është model i tolerancës fetare. Gjithashtu vlerësoj faktin që Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë. Shpresoj se kjo vizitë e sotme do t’i dërgojë një sinjal popullit të Shqipërisë: se ju mund të mbështeteni te Amerika ashtu si edhe Amerika mund të mbështetet tek ju për të bërë punën e vështirë të nevojshme për përhapjen e lirisë dhe si rrjedhojë edhe të paqes."

Presidenti Bush dhe kryeministri Berisha diskutuan gjithashtu mbi pavarësinë e Kosovës me kryeministrat e Maqedonisë dhe të Kroacisë. Kjo është çështje veçanërisht emocionale për Tiranën pasi shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës.

Presidenti Bush tha se ka ardhur koha të lihen mënjanë bisedimet për pavarësinë e Kosovës dhe të caktohet një kalendar veprimesh për ta bërë atë realitet.

"Çështja është nëse do të ketë apo jo dialogje të pafund rreth një subjekti për të cilën ne kemi vendosur. Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur."

Rusia e kundërshton pavarësinë për Kosovën kryesisht sepse shqetësohet për fatin e pakicës serbe atje.

"Ne duam të sigurohemi se Serbia dëgjon se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e tyre për integrim më të madh me Perëndimin. Kjo nënkupton të punohet me Shtetet e Bashkuara në një mënyrë bilaterale. Nënkupton gjithashtu anëtarësim të mundshëm në NATO, për shembull. I bëra thirrje kryeministrit të punojë me udhëheqësit e Kosovës për të ruajtur qetësinë gjatë këtyre fazave përfundimtare."

Presidenti Bush i jep fund turneut të tij europian të hënën në Bullgari. //kk//

XS
SM
MD
LG