Lidhje

Presidenti Bush përfundon turneun në Evropë


Presidenti George Bush po kthehen në Shtetet e Bashkuara pasi përfundoi udhëtimin e tij tetë ditor evropian në Bullgari. Në një konferencë shtypi pas bisedimeve në Sofie me homologun e tij Georgi Parvanov, zoti Bush i bëri thirrje përsëri Rusisë të bashkëpunojë për zhvillimin e një sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Rusia e ka kundërshtuar me forcë planin amerikan të dislokimit të sistemit të mbrojtjes në Poloni dhe në Republikën Çeke, duke e quajtur atë fillimin e një gare të re armatimesh. Në komentet e tij në Sofie, zoti Bush vlerësoi pjesmarrjen ushtarake të Bullgarisë në operacionet në Irak dhe Afganistan. Presidenti Bush përsëriti se koha për pavarësinë e Kosovës është tani.

Megjithëse pritja e Presidentit Bush në Bullgari ishte më e qetë se sa pritja entuziaste prej heroi që iu rezervua atij në Shqipëri, mijëra bullgarë kishin mbushur sheshin Nevsky të Sofies, ku presidenti amerikan vuri një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur dhe përshëndeti dhe u shprehu mirënjohjen veteranëve bullgarë të luftrave në Irak dhe Afganistan.

Pas takimit me Presidentin e Bullgarisë, Georgi Parvanov, të dy udhëheqësit dhanë një konferencë të përbashkët shtypi, gjatë të cilës Presidenti Bush vlerësoi rolin e Bullgarisë si aleate e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Bush dhe Presidenti Parvanov ranë gjithashtu dakord se Kosova duhet të jetë e pavarur.

“Amerika beson se Kosova duhet të jetë e pavarur. Unë u këshillova me Presidentin dhe jam dakord me një nga gjërat që ai bëri të qartë, se ndërkohë që ne kërkojmë pavarësinë e Kosovës, ne duhet të bëjmë të qartë se edhe për Serbinë ka një rrugë për të shtuar përpara, ndoshta pranimi në NATO apo në Bashkimin Evropian, dhe padyshim marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara”.

Por ky është një tjetër burim konflikti me Presidentin rus Vladimir Putin, që do ta shikojë Kosovën si pjesë të Serbisë.

Gjatë konferencës së shtypit me Presidentin bullgar, zoti Bush foli edhe rreth planeve amerikane për ndërtimin e një sistemi mbrojtës nga raketat me bazë në Evropë dhe bisedën më të fundit që ai pati me Presidentin Putin në takimin e tetëshes në Gjermani.

“Unë nuk e shikoj Rusinë si armike. Rusia është një vend me të cilin ne duhet dhe mund të kemi marrëdhënie të mira për të zgjidhur problemet e përbashkëta”.

Presidenti Bush tha se ka rënë dakord me zotin Putin për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit për të përdorur një radar në Azerbajxhan për t’iu kundërvënë kërcënimve të mundëshme.

Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov, përshëndeti dialogun strategjik mes udhëheqësit amerikan dhe atij rus për zgjidhjen e konfliktit për sistemin mbrojtës nga raketat. Zoti Parvanov u tha gazetarëve në konferencën e shtypit se bisedimet e tij me Presidentin Bush kishin qënë shumë pozitive dhe se kjo vizitë është provë se marrëdhënit mes dy vendeve janë shumë të mira. //iç//

XS
SM
MD
LG