Lidhje

Haziri: Deklarata e presidentit Bush mbi Kosovën në kohën e duhur


Zëvëndës-kryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, mirëpriti sot komentet që presidenti Bush bëri dje në Tiranë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.

“Deklarata e djeshme e presidentit amerikan mbi Kosovën u bë në kohën e duhur. Ne mendojmë se gjatë kësaj jave diplomatët e lartë do të vazjdojnë në Paris takimet e Grupit të Kontaktit. Ne besojmë se ata do të bien dakord që afati i qershorit për përcaktimin e statusit të Kosovës nuk do të ndryshojë” .

Presidenti Bush u prit si hero në Shqipëri gjatë vizitës së parë të një presidenti amerikan në atë vend. Ai tha para se të largohej nga Shqipëria për në Bullgari se nuk mund të ketë një dialog të pafund rreth pavarësisë së Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është një çështje për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mendime të ndryshme. Presidenti Bush ka thënë se Kosova duhet të jetë e pavarur.

Rusia, aleate e Serbisë, thotë se pavarësia e Kosovës do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rajone të tjera separatiste të botës.

“Ne i ftojmë rusët të luajnë një rol pozitiv, siç kanë vepruar deri tani në Grupin e Kontaktit. Qëndrimi i Rusisë është shumë i rëndësishëm për serbët e Kosovës gjatë kësaj periudhe. Ata do të ftohen të vazhdojnë të jetojnë dhe të integrohen në Kosovë” .

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, të cilën e shikon si djepin e historisë së saj. Shtetet e Bashkuara dhe vende kryesore evropiane, që mbështesin pavarësinë e Kosovës, po përpiqen të ngushtojnë mosmarrëveshjet me Rusinë lidhur me statusin e Kosovës.

Edhe Këshilli i Sigurimit është i përçarë lidhur me këtë çështje. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane paraqitën një rezolutë të rishikuar në Këshillin e Sigurimit, në të cilën mbështesnin pavarësinë e Kosovës nën mbikqyrjen ndërkombëtare. Kjo rezolutë u hodh poshtë menjëherë nga Rusia, duke lënë të kuptohej se do t’i vëjë asaj veton.

Projekt-rezoluta e re zgjidh shqetësimin e Rusisë që të ruhet karakteri shumë-etnik i Kosovës, por në të njëjtën kohë lë jashtë propozimin kryesor të Moskës për negociata të tjera midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat vazhdojnë të kenë qëndrime krejt të kundërta lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. //iç//

XS
SM
MD
LG