Lidhje

Përmendore e re në Uashington për viktimat e komunizmit në botë


Përmendorja në nderim të viktimave u përura, dje, në 20 vjetorin e fjalimit të njohur të ish Presidentit Regan para Murit të Berlinit, kur i lëshoi një sfidë ish udhëheqësit sovjetik, Mihail Gorbaëov.

“Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse kërkon paqe, nëse kërkon begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse kërkon liberalizim, hajde këtu tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë! Zoti Gorbaçov rrëzoje këtë mur.“

Në fjalimin e tij të martën Presidenti Bush e bëri të qartë se ndante të njëjtin qendrim me presidentin Reagan rreth rëndësisë së lirisë.

“Eshtë e përshtatshme që në përvjetorin e atij fjalimi ne të përurojmë një monument që reflekton besimin tonë në fuqinë e lirisë.”

Monumenti, një statujë në bronx, e vendosur pranë ndërtesës së kongresit, është një kopje e monumentit që ngritën studentëve kinezë në sheshin Tienanmen në vitin 1989.

“Ideatorët e këtij monumenti, mund të kishin zgjedhur një imazh shtypjeje, apo një replikë nga muri që dikur ndante Berlinin, apo barakat e ngrira të Gulagut....apo një fushë të mbushur me të vrarë dhe kafka. Por ata zgjodhën një imazh shprese...një grua që mban pishtarin e lirisë. Ajo na kujton ne viktimat e komunizmit dhe në të njëjtën kohë, na kujton fuqinë që e mposhti atë.”

Në fjalën e tij Presidenti Bush tha se disa nga viktimat ishin mjaft të njohura, por shumica vdiqën anonimë në vende si gulagu sovjetik dhe fushat e pushkatimit në Kamboxhia.

“Krimet e regjimeve komuniste nuk morrën thjesht jetë njerëzish, ato synuan t’u rrëmbenin atyre shpirtin human dhe t’u shuanin kujtesën. Me këtë përmendore ne sot po rikthejmë humanizmin dhe kujtesën e tyre. Me këtë monument ne u thmei viktimave anonime të komunizmit se ata nuk do të harrohen.”

Presidenti Bush tha se askush nuk e di me siguri se sa njerëz vdiqën në duart e qeverive komuniste, por disa llogaritje e çojnë numrin deri në 100 milionë. Presidenti theksoi se ndërkohë që komunzimi mund të jetë zbehur, ligësia dhe urrejtja akoma mbeten. Ai tha se ngjarjet e 11 shtatorit 2001 e provojnë këtë gjë.

"Ashtu sikurse komunistët, armiqtë e rinj besojnë se të pafajshmit mund të vriten, për t’i shërbyer vizionit të tyre radikal. Sikurse komunistët, armiqë tanë të rinj janë kundër popujve të lirë, duke pretenduar se ne që jetojmë në liri jemi të dobët dhe na mungon vëndosmëria për të mbrojtur mënyrën e të jetuarit të lirë. Dhe sikurse komunistët, mbështetësit e radikalizmit të dhunshëm islamik janë të destinuar të dështojnë".

Memoriali i Viktimave të Komunizmit u ndërtua nga një fondacion privat që e filloi punën para 17 vjetësh, menjëherë pas rrëzimit të murit të Berlinit. Fondacioni thotë se kjo është përmendorja e vetme e këtij lloji në botë. //ze//

XS
SM
MD
LG