Lidhje

Shkarkohen nga detyra zyrtarët më të lartë të policisë së Gjirokastrës


Ministria e Brendshme njoftoi sot se shkarkoi nga detyra dy zyrtarë të lartë të policisë së Gjirokastrës me motivin për shkelje të betimit dhe abuzime me detyrën.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Arben Doci u ka komunikuar në Gjirokastër mazat e ndërmarra dy zyrtarëve më të lartë lokalë duke njoftuar edhe emërimet e reja në drejtimin e policisë.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës Dashamir Kaja dhe shefi i Komisariatit të qytetit Edmond Lekloti u njohën me vendimet e marra, por nuk bënë komente.

Para vitit 2005 kur në Shqipëri ndodhën ndryshimet politike, zoti Kaja mbante detyrën e Zv Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe pas largimit nga kjo detyrë ishte emëruar në Gjirokastër.

Gjatë takimit me pjesëtarët e policisë të zhvilluar sot në Gjirokastër zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme Arben Doci nuk ka pohuar motive konkrete për përjashtimet e kryera.

Por ato vijnë pak ditë pas arrestimeve të një grupi trafikantësh që akuzohen se transportonin emigrantë të paligjshëm shqiptarë drejt Greqisë fqinje.

Katër prej të arrestuarve nga Gjykata e Krimeve të Rënda ishin oficerë të policisë locale dhe mes tyre njëri mbante detyrën e Shefit të Policisë Kufitare të Gjirokastrës, ndërsa tjetri në Sektorin e Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë.

Të gjitha arrestimet u kryen nga forcat e Kontrollit të Brendshëm të Tiranës dhe ishin mbajtur në fshehtësi nga policia lokale.

Arrestimet u kryen mbi bazë të përgjimeve të shumta ndaj grupit që akuzohet për organizimin e trafikut dhe përfitimit të shumave të mëdha financiare.

Nga burime zyrtare policore u mësua se që pas arrestimeve zyrtarët e lartë të policisë së Gjirokastrës ishin pezulluar, por vetëm sot është motivuar zyrtarisht një masë më e thellë ajo e përjashtimit nga radhët e policisë. //ze//

XS
SM
MD
LG