Lidhje

Nano: Do të luaj rolin e një politikani bashkues


Ish kryetari socialist Fatos Nano, kandidati i vetëm deri tani nga opozita që ka hedhur hapa konkrete drejt kandidimit për postin e presidentit, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se i ka firmat e duhura nga deputetët socialiste. Zoti Nano thotë se në klimën e sotme ai do të luajë rolin e një politikani bashkues, për ta nxjerre politiken nga konfliktualiteti i vazhdueshëm. Megjithatë ai le të kuptohet se nëse përpjekja e tij për president nuk do të jetë e suksesshme, ai mund të vihet në krye të një levizjeje të re politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano ju tashmë keni deklaruar se i keni firmat e nevojshme të Partisë Socialiste për të kandiduar për postin e presidentit të ardhshëm të vendit. Tani që na ndajnë vetëm pak ditë nga votimi i parë në Parlament, edhe sikur të merrnit të gjitha votat e socialistëve ju përsëri do të keni nevojë për votat e maxhorancës. Çfarë garancish keni ju se mund të merrni votat e duhura nga Partia Demokratike?

Fatos Nano: Unë jam në ditët e fundit të formalizimit të iniciativës për të konkuruar për detyrën e kryetarit të shtetit. Dhe pas një fushate mediatike dhe politike pas kontakteve me aktorë të rëndësishëm të spektrit parlamentar gjithashtu që do të duhet të krijohen kuorumet dhe konsensuset e nevojshme për kapërcimin e sfidës së zgjedhjes së presidentit të ri si dhe sidomos për të kapërcyer rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme për këtë shkak, tashmë unë po formalizoj procedurat, pra kam ftuar numrin e nevojshëm të deputetëve për të nënshkruar propozimin dhe platformën e kandidimit tim për president të Republikës së Shqipërisë. Mendoj se çështja e numrit të votave, e konsensuseve dhe e kuorumeve që kushtëzojnë suksesin e njërës apo tjetrës kandidaturë është në harmoni me këtë frymë, me këtë konvergjencë, me këto mesazhe të mënjanimit të konflikteve dhe të uljes së tensioneve të panevojshme në politikën shqiptare që vijnë nga shoqëria, që vijnë nga faktorët e rritjes, që vijnë nga përfaqësuesit e grupeve të interesit dhe sidomos që vijnë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se synimi kryesor, arsyeja kryesore, që mund t’u sillte në krye të shtetit është ulja, çtensionimi, krijimi i një kulture tjetër politike në Shqipëri. Megjithatë ju nuk mund të vini në këtë post pa patur parasysh të kaluarën tuaj, e kam fjalën për përplasjet që keni pasur ju me kryetarin e tanishëm të qeverisë. A do të ndiheshit ju rehat në postin e presidentit me votat e shumicës së djathtë, me të cilën keni pasur shumë përplasje në të kaluarën?

Fatos Nano: Unë besoj se historia e demokracisë, historia e re e demokracisë në Shqipëri nuk është bardhë e zi, nuk është një histori thjesht alternimesh apo rotacionesh të zhurmshme apo paqësore, nuk është një histori vetëm konkurimesh dhe zgjedhjesh, por është dhe një histori qeverisjeje dhe vazhdimësie nga njëra legjislaturë në tjetrën, që ka sjellë me problemet e saj rritjen e institucioneve, përmirësimin e legjislacionit, stabilizimin e ekonomisë dhe të tregut, ka sjellë një numër procesesh në shoqëri, që kanë transformuar rrënjësisht shoqërinë shqiptare dhe njerëzit e saj dhe natyrisht kanë transformuar edhe politikën. Për pasojë, kjo histori karakterizohet jo vetëm nga ballafaqime të forta, apo nga kriza dhe incidente që kanë lënë gjurmë negative në vëmendjen e opinionit publik por edhe të atyre që e ndjekin apo e përcjellin historinë e Shqipërisë dhe zhvillimet e saj, por ka patur dhe një numër marrëveshjesh, një numër procesesh të cilat në momentet më të spikatura kanë siguruar stabilitetin, vazhdimësinë dhe normalitetin e zhvillimit apo të kalimit të stafetave nga një qeveri në tjetrën në funksion të hapjes, të integrimit dhe të partneritetit me faktorët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se ka ardhur koha në Shqipëri që të kapërcehen, të harrohen këto kriza, këto incidente të së kaluarës?

Fatos Nano: Unë besoj se ka tashmë një arsyetim të gjerë dhe të mjaftueshëm në politikën shqiptare gjithashtu. Ka një presion pozitiv gjithnjë e më të ndjeshëm nga shoqëria dhe nga faktorë përcaktues të saj që krizat, incidentet, apo konfliktet e arshivuara, të shërbejnë si mësime që të evitohen kostot dhe pengesat jo të vogla që ato kanë sjellë në zhvillimin tonë të derisotëm. Nga ana tjetër është një refleksion i mbarë shoqërisë dhe në substancë dhe i politikës së përfaqësuesve të saj që nuk mund të vazhdohet më tej me konflikte, me obstruksionizëm, me destruktivizëm dhe me bllokim reciprok të palëve në fuksionimin e institucioneve themelore ligjbërëse apo administruese të pushtetit.

Zëri i Amerikës: Ndonëse procesi për zgjedhjen e presidentit është vetëm në fazat e tij të para, ende pa u zyrtarizuar plotësisht, a mendoni se presidenti i ardhshëm do të jetë më tepër rezultat i negociatave, i pazareve politike apo i procesit të rregulltë kushtetues?

Fatos Nano: Nuk besoj se nuk janë shfaqur, ndoshta dhe konsumuar shenjat, se procesi nuk mund të jetë konfliktual, nuk mund të jetë likuidues, nuk mund të jetë një konflikt i radhës, apo i pasuar nga ndonjë krizë e rradhës, për shkak të mostakimit, apo të mungesës së komunikimit midis palëve. Natyrisht ka një procedurë kushtetuese, e cila duhet respektuar, por ne kemi ditur edhe në precedentët e derisotëm të lubrifikojmë, në se mund të thosha, procesin kushtetues me negociata dhe konsensuse politike, të cilat kanë evituar krizat. Besoj kjo do të ndodhë edhe këtë herë, megjithëse jemi shumë afër procesit të fillimit të konkurimit, por megjithatë politika shqiptare shpesh është treguar e përgjegjëshme edhe në çastet e fundit dhe ato që duken si drama, kanë rezultuar krejt të zgjidhshme.

Zëri i Amerikës: A mund të ndodhë një skenar i tillë, që Fatos Nano të jetë ballë për ballë Bamir Topit në votim në parlament dhe si e parashikoni ju? Sa shqetësim përbën për ju kandidatura e zotit Topi?

Fatos Nano: Nuk besoj se ky do të jetë një skenar i mundshëm, pasi ai do të ndodhte në kushtet e mungesës së kuptimit reciprok, apo të kuptimit të njesuar të palëve për nevojën e një ekuilibri politik në vend. Nuk do të kishte sens dhe unë jam tërësisht në një mendje, jo vetëm me opozitën, por edhe me mjaft faktorë të tjerë opinionbërës dhe politikbërës në Shqipëri, që tre detyrat kryesore të shtetit, të ishin, pavarësisht që nga kualiteti i përfaqësuesve nuk mund të skualifikohen për arsye politike valencat e personaliteteve, pra as të zotit Topi, pra tre detyrat kryesore të shtetit nuk mund të ishin në njërin krah, nuk mund t’i takonin të njejtës parti. Kjo nuk e ndihmon procesin e mirëkuptimit, të tolerancës dhe të rivendosjes së besimit midis palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, ju deri më sot keni qëndruar larg partisë dhe tani jeni angazhuar tërësisht për kandidaturën tuaj për postin e presidentit. Në se synimi juaj nuk përfundon me sukses, a pritet të shohim një angazhim më të madh në Partinë Socialiste? Pra cila do të jetë e ardhmja e Fatos Nanos në qoftë se nuk fiton postin e presidentit?

Fatos Nano: Unë nuk besoj që politika është kaq sferë e ngushtë sa të lejon të zgjedhësh vetëm midis dy alternativave. Sigurisht unë i kam qëndruar luajal angazhimit publik. E quaj çështje parimore të dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Socialiste për shkak të humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Sigurisht kjo më ka ndihmuar të rivendos një distancë tjetër me politikën në tërësi por edhe me palët në konflikt tradicional në veçanti i cili ka vite që është aty. Dy forca kryesore janë alternuar në qeverisje nëpërmjet zgjedhjeve. Kjo më ka bërë që të kuptojë më mirë raportet e politikës me shoqërinë duhet të transformohen, duhet të kualifikohen, të profesionalizohen dhe të mos cënohen më nga konflikte personale apo interesash më të pjesëshme sesa ato të zhvillimit kombëtar dhe të integrimit të Shqipërisë në botën moderne. Ky do të jetë raporti dhe vokacioni im edhe në të ardhmen, ky do të jetë militantizmi i Fatos Nanos edhe në të ardhmen. Pra unë do vazhdoj të luftojë dhe të investohem, të marrë iniciativa dhe të sjellë sa më shumë aktorë në një proces bashkëpunimi për integrim, në një proces që marxhinalizon konfliktet, që sjell në vëmendjen e publikut dhe të zgjedhësve sa më shumë përfaqësues të kualifikuar dhe që interpretojnë në mënyrë profesionale interesat e zhvillimit dhe të partneritetit për integrim.

Zëri i Amerikës: A është kjo një formë e tërthortë e të thënit hapur të idesë që ekziston mundësia e krijimit të një partie të re nga Fatos Nano?

Fatos Nano: Më shumë do të ishte një proces politik që do të zbuste polaritetin midis partive ekzistuese do të krijonte një frymë dhe një klimë bashkëpunimi bipartizan dhe në qoftëse kjo do të bëhej partia më e rëndësishme në Shqipëri atëhere do të ishte sukses i madh jo personal por do të ishte një afirmim i asaj alternative që votuesit shqiptar mbështesin që tani dhe do të mbështesin edhe formalisht në të ardhmen.//rd//

XS
SM
MD
LG