Lidhje

Presidenti Bush, thirrje ligjvënësve ta mbështesin ligjin e imigracionit

  • Debora Tejt
  • Uashington

Presidenti Bush dje bëri një vizitë të rrallë në Kongres, për të ushtruar trysni ndaj senatorëve të partisë së tij republikane, ta mbështesin ligjin mbi reformimin e sistemit të imigracionit. Opozita republikane, e shqetësuar për sigurinë në kufi dhe për klauzolat që përfshin ligji mbi programin e punonjësve me viza pune, e bllokoi ligjin, duke mos e lejuar votimin e tij në Senat javën e kaluar.

Pas takimit me republikanët në Senat, Presidenti Bush pranoi se mes ligjvënësve të partisë së tij ka mendime të ndryshme lidhur me çështjen e reformës së imigracionit:

"Disa prej ligjvënësve janë të mendimit se duhet të kemi një ligj të domethënës, disa të tjerë, jo. E kuptoj mirë që kemi të bëjmë me një çështje emocionale"- tha ai.

Por Presidenti Bush u zotua se Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të qëndrojë e angazhuar me Kongresin, për një çështje që ai e ka përparësi të tijën.

"Kjo çështje kërkon përpjekje të mëdha. Ne duhet ta bindim popullin amerikan se ky ligj është mënyra më e mirë për zbatimin e sigurisë në kufi. Jam i mendimit se pa këtë ligj, do të jetë më e vështirë ta realizojmë atë. Gjendja e statuskuosë në këtë çështje është e papranueshme," - tha Presidenti.

Përveç sigurisë në kufi, ligji do të krijonte po ashtu, një program për punonjësit me viza pune dhe do t’u orfronte rrugën drejt qytetarisë amerikane shumë prej rreth 12 milionë imigrantëve të paligjshëm që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Disa ligjvënës republikanë kanë shprehur skepticizëm, që ky ligj do të përmirësonte ndjeshëm sigurinë në kufi dhe shumë të tjerë japin argumentin se ai do t’u jepte amnistinë, duke u ofruar qytetarinë amerikane, personave që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush tha se shpresonte që udhëheqësi i shumicës në Senat, ligjvënësi demokrat i Nevadës, Harri Rid, ka të njëjtën dëshirë me të, që të shkohet përpara me ligjin. Por zoti Rid u tha gazetarëve se shumica e demokratëve e mbështesin ligjin dhe se është në dorën e Presidentit që për të votojnë edhe republikanët.

"Ne e kemi bërë punën tonë. Çështja nuk qëndron se demokratët janë ata që duhet të bëjnë diçka. Çështja është që republikanët duhet të mbështesin Presidentin e tyre," - tha zoti Rid.

Udhëheqësin e pakicës republikane në Senat, ligjvënësin e Kentakit, Miç Mekonnell, e pyetën në se Presidenti Bush ka mundur të sigurojë një numër më të madh mbështetësish republikanë për ligjin.

"Mendoj se kjo do të varet së tepërmi tek çështja se cili do të jetë varianti përfundimtar i ligjit. Asnjë prej nesh nuk e di ende këtë. Pra do të duhte të bëhet kompromis për një sërë çështjesh dhe ne kemi patur një diskutim mjaft të mirë për këtë çështje," - tha ai.

Senatori Rid mund ta shtrojë përsëri ligjin për diskutim në Senat në fillim të javës së ardhshme, pasi senatorët të kenë përfunduar diskutimet për ligjin e energjisë.//lk

XS
SM
MD
LG