Lidhje

Qeveria e Kosovës shpall konkursin 10-ditor për flamurin e ardhshëm


Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës shpallën një konkurs për krijimin e një flamuri dhe një hymni të ri. Ata thonë se flamuri i ri duhet të ketë një pamje të thjeshtë dhe të mos u ngjajë flamurëve të vendeve të tjera.

Qeveria e Kosovës thotë se e shpalli konkursin 10 ditor si përgjigje ndaj rekomandimeve të OKB-së për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikqyrur. Hajredin Kuqi, drejton komisionin për simbolet: "Ne kërkojmë një dizenj të thjeshtë që të përdoret lehtë si dhe një flamur që të shprehë një orientim properëndimor të këtij vendi dhe populli. Në të njëjtën kohë nuk do të preferonim një flamur që nuk shpreh frymën e planit të Ahtisarit. Flamuri i ri nuk duhet t’u ngjajë flamurëve apo simboleve të vendeve të tjera, përfshirë vendet fqinje", thotë zoti Kuqi.

Shqiptarët e Kosovës vazhdimisht kanë përdorur flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe ndërsa në komunitet serbe përdoret flamuri i Serbisë. Konkursi do të qendrojë i hapur deri më 27 qershor.

Fituesi merr 13 mijë dollarë, çmimi i dytë është 9 mijë dollarë ndërsa i treti 6,700. Juria e përbërë nga profesionistë do të hartojë listën përfundimtare ndërsa parlamenti do të thotë fjalën e fundit. //rd//

XS
SM
MD
LG