Lidhje

Intervistë me Hashim Thaçin, Kryetar i PDK-së


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se qëndrimi i qartë i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të pavarësisë së Kosovës ka rritur besimin për një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës. Ai është shprehur i bindur se edhe Rusia do të jetë pjesë e një vendimi të përbashkët ndërkombëtarë. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë Besim Abazi, zoti Thaçi thotë se Kosova do të ketë simbolet e saj të veçanta pas statusit, por do të respektojë simbolet kombëtare shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, tashmë ndodhemi në një periudhë që cilësohet si thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Në njërën anë kemi qëndrimin e qartë të Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian në mbështetje të pavarësisë dhe kundërshtimin rus. Si i shihni ju zhvillimet e mëtejme në Këshillin e Sigurimit dhe përgjithësisht përmbylljen e këtij procesi?

Hashim Thaçi: Aktualisht po kalojmë ditët e çlirimit apo ditët e lirisë, të tetë vjetorit të largimit të Serbisë nga Kosova. Por jemi duke kaluar situata të reja, situatat e nxjerrjes ë vendimit për zyrtarizmin e Kosovës së pavarur, për realitetin që e kemi krijuar në qershor të vitit ’99. Gjërat janë duke u qartësuar gjithnjë e më tepër. Gjithçka është e qartë sa i përket statusit. Kosova do të jetë e pavarur dhe sovrane. Washingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë qëndrim unik. Mesazhet e presidentit George Bush kanë qenë më se të qarta, shumë të vendosura, shumë të mirëpritura nga qytetarët e Kosovës. Ka qenë një mesazh që sjellë në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës të mirën më të madhe për popullin e Kosovës, për paqen e stabilitetin në rajon, por edhe zgjidhjen më të mirë të mundshme për komunitetin ndërkombëtarë, do të thotë edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për Bashkimin Evropian. Unë dua të besoj se edhe Rusia do të jetë pjesë e vendimit ndërkombëtarë pasi që ka qenë e përfshirë në gjithë procesin negociator deri tash. Kështu që jam optimist që gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur, megjithëse nuk duhet të sillemi me komoditet të theksuar.

Zëri i Amerikës: Nëse nuk ka një Rezolutë dhe zgjidhet ajo që është quajtur rruga e gjatë, pra e njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, cilat mund të jenë sipas jush rrjedhojat e këtij procesi?

Hashim Thaçi: Ne preferojmë një qëndrim unik ndërkombëtarë për Kosovën. Ky është në interesin e Kosovës, në interesin e gjithë komunitetit ndërkombëtarë. Por natyrisht jemi të gatshëm të pranojmë edhe njohjen veç e veç të shteteve nëse do të ketë këmbëngulësi të Rusisë për veto. Por dua të besoj se komuniteti ndërkombëtarë do ta krijojë konsensusin e duhur për vendimin unanim.

Zëri I Amerikës: Zoti Thaçi, nëse zgjidhet kjo rruga më e gjatë, a e rrezikon tërësinë tokësore të Kosovës?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë e pavarur e sovrane me integritet territorial të respektuar dhe garantuar prej komunitetit ndërkombëtarë, natyrisht duke rritur përkushtimet për reformim të pushtetit lokal, për kultivimin, ruajtjen dhe rritjen e përgjegjësive tona për respektimin e të drejtave të komuniteteve në kuptimin që të kemi një Kosovë ta pavarur, duke respektuar të drejtat e pakicave dhe Kosova të jetë vend demokratik, vend i të gjithë qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: A është Kosova vërtetë e gatshme të marrë përgjegjësitë që i takojnë pas zgjidhjes së statusit politik?

Hashim Thaçi: Kosova ka qenë e përgatitur për pavarësi që në qershor të vitit ’99. Kemi një stërzgjatje të procesit. Por mund të them lirisht se Kosova është gati, e përgatitur, është unike dhe e meriton pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Në këtë kuadër do të lidhesha me mospajtimet që kanë ekzistuar në ekipin e unitetit për disa çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e posaçërisht me simbolet e ardhshme të Kosovës. Është dashur një ndërhyrje ndërkombëtare posaçërisht amerikane për të tejkaluar këto mospajtime. . A do të duhet gjithnjë një ndërhyrje e tillë për të ruajtur "unitetin" tuaj?

Hashim Thaçi: Nuk duhet keqkuptuar partneritetin me ndërhyrjen. Ne kemi punuar ngushtë më komunitetin ndërkombëtarë, me SHBA dhe BE në procesin e angazhimeve për zgjidhjen përfundimtar të statusit politik dhe natyrisht që në këtë drejtim kemi pasur edhe një rol lehtësues të komunitetit ndërkombëtarë që ka qenë edhe rol mbështetës për ekipin e unitetit, për Kosovën, në mënyrë që të përgatitemi shumë mirë dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Mendoj se gjërat që kanë reflektuar aty këtu në opinion nëpërmjet mediave të ndryshme, janë krejt të parëndësishme në krahasim me punën e madhe dhe të suksesshme që është bërë në këtë proces të përgatitjeve përfundimtare për statusin politik, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës të unitetit politik dhe qytetar.

Zëri i Amerikës: Kur jemi tek simbolet, kritiket thonë se kriteret e përcaktuara janë një lëshim i ri i udhëheqjes politike e cila ka hequr dorë nga kërkesat e deritashme për ruajtjen e identitetit kombëtar brenda tyre. Si u përgjigjeni këtyre komenteve?

Hashim Thaçi: Mendoj se ka opinione të ndryshme dhe nuk janë kritika. Kosova shtet i ri, do t’i ketë edhe simbolet e veta shtetërore. Do ketë flamurin e vet shterpor, do të ketë stemën dhe himnin e vet. Por simbolet kombëtare janë të paprekshme sepse me to jemi rritur, kemi luftuar, kemi fituar, kemi sakrifikuar. Mendoj se duhet bërë dallimin në kuptimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe respektimit e kultivimit të simboleve tona kombëtare që janë të paprekshme dhe që do të kultivohet për jetë të jetëve aty ku jetojnë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Kur prisni një vendim për statusin e Kosovës.

Hashim Thaçi: Shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, t’i kthehemi pak skenës së brendshme politike në Kosovë. Sa është ajo e gatshme të përballet ajo me sfidat para, gjatë dhe pas vendimit për statusin politik?

Hashim Thaçi: Mendoj se Kosova është e përgatitur për vendimin. Skena politike është kjo që është. Për fat të keq, pushteteve lokale u ka kaluar mandati tash e një vit, ndërsa pushtetit qendror i kalon mandati edhe tre muaj, do të thotë në shtator, kështu që duhet të fokusohemi në ndërtimin e agjendës kosovare, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës që të kalojmë agjendën tonë demokratike, të ndërtimit të institucioneve demokratike efektive e funksionale në mënyrë që të kemi lidership me përgjegjësi të reja dhe të kemi fillim të mbarë në ndërtimin e shtetit të ardhshëm të Kosovës. // ze //

XS
SM
MD
LG