Lidhje

SHBA: Shqipëria të forcojë bankat për të penguar terrorizmin


Shqipëria nevojitet të shtojë më tej masat për kontrollin e kufijve dhe të sistemit bankar, për të shmangur financimin e terrorizmit. Kështu deklaroi në Tiranë Patrick O'Brien, ndihmës sekretar i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara. Zyrtari më i lartë i qeverisë amerikane kundër financimit të terrorizmit, zoti O'Brien po viziton vendet e rajonit për të nxitur forcimin e masave kundër terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimit financiar.

"Sapo të ndeshin emra që janë në listën e OKB-së, institucionet financiare private duhet të vënë në lëvizje mekanizmat e tyre, sipas rregulloreve të Bankës Qendrore, për të identifikuar llogaritë bankare të lidhura me ta dhe t'i ngrijnë këto llogari. Bankat duhet të deklarojnë transaksionet e dyshimta të klientëve të pazakontë" - tha zoti O'Brien.

Ai theksoi se mbikëqyrja e fortë dhe rritja e nivelit të sigurisë në Shqipëri, nuk është vetëm një cështje policore, por kjo ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, në përmirësimin e jetesës dhe në shtimin e investimeve të huaja.

"Aktualisht është vërejtur një nevojë e madhe e terroristëve për transportim dorazi të parave. Sa më shumë forcohen sistemet bankare, aq më shumë ata përfshijnë korrierë që të transportojnë dorazi para kesh. Kjo është edhe një nga cështjet që diskutova gjatë takimeve në rajon. Këto vende duhet të ngrejnë që në kufi një sistem deklarimi të parave në cash dhe të forcojnë masat kundër kësaj dukurie" - tha zoti O'Brien.

Shqipëria ka bllokuar mbi 40 llogari bankare, si edhe ndërtesa e troje, pasuri të personave që gjenden në listat e OKB si të dyshuar për terrorizëm. Tirana është vlerësuar si një zbatuese e rregullt e kërkesave të OKB në luftën kundër terrorizmit. //kk//

XS
SM
MD
LG