Lidhje

Guvernatori i Kalifornisë Shvarzineger i këshillon imigrantët të mësojnë mirë anglisht


Guvernatori i Kalifornisë me prejardhje austriake Arnold Shvarzineger u ofron një këshillë imigrantëve në Shtetet e Bashkuara; mësoni mirë anglisht, duke shmangur çdo gjë ose çdo njeri që flet gjuhën tuaj.

Zoti Shvarzineger e theksoi nevojën e imigrantëve për të folur dhe kuptuar mirë anglishten, gjatë një fjalimi këtë javë në një konferencë të gazetarëve hispanikë në Kaliforni.

Ai i këshilloi spanjisht folësit që duan të mësojnë anglisht që t’i shmangen mediave në gjuhën spanjishte dhe të qëndrojnë larg nga folësit e gjuhës së tyre.

Zoti Shvarzineger që erdhi në Shtetet e Bashkuara rreth 40 vjet më parë kur ishte 21 vjeç, flet një anglishte të rrjedhëshme por me theks të gjerman. Ai thotë se komentet e tij mund të cilësohen si politikisht të papërshtatëshme dhe mund të nxisin debate, por shtoi se ai flet nisur nga përvoja e tij personale.

Zoti Shvarzineger, politikan e aktor i njohur, thotë se kur erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1968 ai rrallë fliste gjermanisht me njeri.

Komentet e tij shkatuan reagime të ndryshme në konferencë. Disa thanë se janë dakord me komentet e guvernatorit, ndërkohë që të tjerë u thanë gazetarëve se ishin zemëruar nga këshillat e tij.

Si guvernatori i një shteti në kufi me Meksikën dhe një shtetas amerikan i natyralizuar, pra jo i lindur në Amerikë, zoti Shvarzineger e ka bërë çështjen e emigracionit çështje qëndrore të karierës së tij politike./al/

XS
SM
MD
LG