Lidhje

Ç’ do të thotë të jesh mysliman në Amerikë?


Në një simpozium që u mbajt kohët e fundit në Uashtington u diskutua tema “Çfarë do të thotë të jesh mysliman në Amerikë?” Simpoziumin e organizuan Qendra e Universitetit Xhorxhtaun për Mirëkuptimin mes të Krishterëve dhe Myslimanëve së bashku me On Faith, një grup analistësh të sponsorizuar nga revista Newsweek dhe gazeta The Washington Post.


Myslimanët në Amerikë janë një mikrobotë e Myslimanëve nëpër botë. Ata vinë nga më shumë se 60 vende nga Afrika, Azia, Evropa, Lindja e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara. Si për imigrantët ashtu edhe për amerikanët që kanë ndërruar fenë synimi për të gjetur identitetin e tyre është me rëndësi parësore. Amerikanët myslimanë shpesh gjenden para dilemës se çfarë do të thotë të jesh mysliman në Amerikë dhe se si shikohen prej atyre që nuk janë myslimanë.

Gazetarja Salli Kuin, një prej analistëve në simpoziun, thotë se ka dëgjuar mjaft nga këto keqkuptime rreth Islamit në Amerikë.

“Unë fillova të shikoj se sa e vështirë është të jesh mysliman në këtë botë, veçanërisht mysliman në Shtetet e Bashkuara, sepse e kam të qartë se çfarë shikon në letrat dhe në veprimet e disave nuk përfaqëson normat e fesë myslimane. Ka mjaft përshtypje negative këtu”.

Zonja Kuin thotë se këto përshtypje janë krijuar sepse shumica e amerikanëve dinë shumë pak për Islamin. Por Hadia Mubarak, një studiuese në Qendrën e Universiteti Xhorxhtaun për Mirëkuptimin mes të Krishterëve dhe Myslimanëve dhe presidente e Shoqatës Kombëtare të Studentëve Myslimanë jep një shpjegim tjetër:

“Mendoj se njerëzit e shikojnë tensionin e tanishëm mes Shteteve të Bashkuara dhe botës myslimane në prizmin e fesë, kur në fakt ai nuk ka të bëjë aspak me fenë”.

Zonja Mubarak argumenton se disa faktorë politikë, socio-ekonomikë dhe historikë në pjesën më të madhe të botës myslimane janë ato që kanë nxitur anti-amerikanizmin. Ingrid Mattson, presidente e Shoqatës Islamike të Amerikës dhe profesore e studimeve islamike në Seminarin e Hartfordit në Kënektikat është dakord me këtë vlerësim. Ajo shton se mbulimin sensacinal i medias për dhunën e myslimanëve nxit ndjenjat anti-myslimane në Perëndim.

“Media duhet t’i paraqesë më mirë myslimanët, të sqarojë realitetin se myslimanët ekstremistë janë të paktë në numër”.

Profesorja Mattson thotë se media mund t’i ndihmojë amerikanët të bëjnë dallimin mes Islamit të moderuar dhe lëvizjes së politizuar apo ekstremiste që përdor Islamin për qëllimet e veta. Ndërkohë, Shoqata Islamike e Amerikës po bën përpjekjet e veta për të informuar publikun.

Imam Jahja Hendi, kleriku mysliman i Universitetit Xhorxhtaun thotë se myslimanët e Amerikës duhet të forcojnë pozitat e tyre si një grup integral i shoqërisë amerikane.

“Ne jemi këtu përgjithmonë. Në Amerikë ka 7 milionë myslimanë dhe ky është vendi ynë. Për mua të jesh mysliman amerikan do të thotë të jesh besnik ndaj vendit tonë, Amerikës, ndaj vlerave tona si amerikanë por edhe besnikë ndaj vlerave islamike”.

Muzikanti i rokut Selman Ahmed është pakistanez - amerikan. Ai thotë se amerikanët myslimanë mund të përdorin artin islamik, poezinë dhe muzikën si urë kulturore për të treguar humanitetin e identitetit të tyre.

Selman Ahmedi thotë se muzika moderne mund të shërbejnë si urë për të kapërcyer hendekun e vjetër mes Islamit dhe perëndimit. //kk//

XS
SM
MD
LG