Lidhje

Parlamenti shqiptar ende nuk ka kandidatë zyrtarë për president


Megjithë emrat e shumtë që diskutohen për postin e presidentit të Shqipërisë, në komisionin parlamentar të ligjeve nuk është depozituar ende asnjë kandidaturë zyrtare nga forcat politike.

Nën-kryetari i Parlamentit dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të ligjeve, Fatos Beja, thotë se zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve merr një rëndësi të veçantë në raste, si zgjedhja e presidentit të vendit, ndaj dhe procedurat do të ndiqen me përpikmëri.

Zoti Beja thotë se zgjedhja e presidentit është një çast kulmor në jetën politike të vendit, dhe forcat politike duhet të shfaqin gjithë përkushtimin e tyre për kandidatura dinjitoze, dhe jo të shfrytëzojnë rastin për pazare të dëmshme.

Parlamenti shqiptar nuk ka marrë ende deri sot dy ditë para skadimit të afateve ligjore asnjë propozim kandidaturash për postin e presidentit të vendit. Komisioni parlamentar i ligjeve zhvilloi të hënën një mbledhje më se të zakonshme, ku u shqyrtuan disa marrëveshje ndërkombëtare, por jo ndonjë kandidaturë për president, siç pritej.

"Alternativat për të përdorur zgjedhjen e presidentit si një instrument për të rrëzuar qeverinë, që të vijë pala tjetër në qeveri janë vetëm opsione shkatërruese për vendin tonë që ka aspirata për t'u integruar në institucionet perëndimore" - thotë Kryetari i Komisionit Parlamentar të ligjeve dhe Nënkryetari i Parlamentit, Fatos Beja.

Ai theksoi se zgjedhja e Presidentit do të duhet të bëhet në një seancë pa debat, me praninë minimale të 84 deputetëve.

"Nëse në seancë nuk janë të pranishëm 84 deputetë, nuk quhet votim. Kjo është fare e qartë në nenin 78 të Kushtetutës, ku thuhet se Kuvendi merr vendime me shumicën e votave në prani gjysmës së anëtarëve të tij, përvec rasteve kur Kushtetuta parashikon një votim të cilësuar" - thotë ai.

Zoti Beja thotë se si në vendet demokratike europiane, edhe në SHBA, çdo maxhorancë në pushtet lë gjurmën e vet, duke zgjedhur drejtues të institucioneve kryesore, pavarësisht nga gjatësia e ndryshme e mandateve të tyre, ndaj edhe këtë radhë është e drejta e maxhorancës që të zgjedhë Presidentin.

"Sot kemi një maxhorancë që ka ardhur nga vota e rregullt e qytetarëve, ndaj është tërësisht e drejta e saj që të lërë gjurmën e saj në presidentin që do të zgjidhet. Kjo është e zakonshmja. Nuk mundet që për shkak të dy deputetëve që nevojiten, ajo të mos përcaktojë presidentin. Ndryshe pastaj presidenti do të bëhet objekt pazarlliqesh të padobishme për vendin" - thotë ai.

Nënkryetari i Parlamentit, Fatos Beja, thotë se edhe historia 15 vjeçare e pluralizmit shqiptar tregon thjesht se çdo maxhorancë ka zgjedhur presidentin e vet.

"Ne kemi patur presidentë që përgjithësisht kanë respektuar maxhorancën ekzistuese. në vitin 1991 ka qenë president Alia që mishërontë maxhorancën e asaj kohe. Pas tij, ka qenë president Berisha që mishëronte maxhorancën e PD pas 1992, pastaj ka qenë president Mejdani, i cili gjithashtu mishëronte maxhorancën socialiste të atyre viteve në parlament, dhe përjashtimi i vetëm ka qenë presidenti aktual, i cili erdhi si produkt i një situate të pazakontë" - theksoi zoti Beja.

Forcat politike në Tiranë po diskutojnë variante nga më të ndryshmet për zgjedhjen e presidentit të ri. Një mori emrash dhe formulash janë shpallur dhe vetëshpallur për postin e presidentit, i cili po lakmohet prej disa kandidatëve në 5 raundet e votimit, pas dështimit të të cilave, parlamentit nuk i mbetet tjetër veçse të shpërndahet, ndonëse politikanët po përpiqen të shmangin zgjedhjet e parakohëshme.//lk

XS
SM
MD
LG