Lidhje

Shqipëri: Ende asnjë kandidat për presidentin e ardhshëm


Ndërsa pritet që gara për presidentin të hapet të mërkurën, kandidatët e shpallur deri më tani nuk kanë bërë asnjë kërkesë zyrtare dhe nuk janë regjistruar.

Kandidati i djathtë Bamir Topi duket se është në pritje të zhvillimeve që do të pasojnë bisedimet mes palëve. Ndërsa ish kryeministri socialist Fatos Nano vazhdon përpjekjet për të marrë mbështetjen e partisë socialiste të cilën ai e ka drejtuar për 15 vjet.

Zoti Nano mori pjesë të martën për herë të parë në dy vjet, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist duke dalë prej andej më i kënaqur se pak ditë më parë kur takoi kryetarin socialist, Edi Rama. Ai tha se ishin rivendosur lidhjet e munguara mes tij dhe grupit parlamentar:

"Që sot e tutje ky partneritet do të vazhdojë duke patur në dosjen e PS edhe Fatos Nano, edhe kontributin e tij, edhe vlerën e shtuar që unë di të krijojë apo të bashkojë me vlerat e tjera të partisë socialiste. Nga kjo mbledhje nuk u përjashtua askush, as nga grupi as nga procesi".

Megjithatë ajo që zoti Nano mundi të shkëpusë të martën nuk ishte mbështetja e plotë për kandidaturën e tij, por thjesht mosmbyllja e plotë e shtegut për t’u konsideruar një kandidat i mundshëm.

Sipas kryetarit socialist Edi Rama ajo që nuk do të pranohet është një kandidaturë e s djathtës:

"Rikonfirmuam bindjen se PS përjashton dhënien e konsensusit për cdo kandidat që del nga forcat e djathta dhe nuk përjashton e nuk paragjykon asnjë kandidat që del si propozim nga e majta apo nga shoqëria civile. Procesi është i hapur."

Ajo që rezultoi nga mbledhja e së martës ishte se emri i zotit Nano do të hidhet për diskutim në tryezën e partive të koalicionit, një tryezë e cila në pamje të parë vështirë se mund të ofrojë një mikpritje të ngrohtë për të, vecanërisht pas sulmeve që ish kryeministri i bëri një ditë më parë aleatëve të majtë të socialistëve.

Të djathtët nga ana e tyre kanë vendosur të zhvillojnë paralelisht me bisedimet me socialistët edhe konsultime me njëri-tjetrin, Ndërsa socialistët kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të nisin kontaktet me demokratët. //ze//

XS
SM
MD
LG