Lidhje

Shtohet mbështetja për qeverinë palestineze në Bregun Perëndimor


Marrja nën kontroll me dhunë e Rripit të Gazës nga Hamasi ka ndarë qeverinë palestineze, mes udhëheqjen e Hamasit në Gazë të drejtuar nga ish kryeministri Ismail Haniyeh dhe kabinetin e ri të aleancës Fatah në Bregun Perëndimor të miratuar nga presidenti Mahmoud Abbas.

Duke njoftuar rifillimin e ndihmës së drejtpërdrejtë për qeverinë e zotit Abbas, Sekretarja Amerikane e Shtetit Condoleezza Rice tha se Hamasi po përpiqet të përçajë popullin palestinez, lëvizje që Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë.

“Hamasi ka zgjedhur rrugën e vet. Është përpjekur të shuajë debatin demokratik me anë të dhunës dhe të imponojë agjendën ekstremiste ndaj popullit palestinez në Gaza. Tani palestinezët e përgjegjshëm po zgjedhin rrugën e tyre dhe është detyrë e komunitetit ndërkombëtar të mbështesë ata palestinezë që duan të ndërtojnë një jetë më të mirë dhe një të ardhme në paqe.”

Analistët thonë se ndarja ndërmjet Bregut Perëndimor dhe Gazës e ka rrezikuar objektivin e palestinezëve për formimin e një shtetit të pavarur në dy territore, të cilat gjenden në anët e kundërta të Izraelit. Presidenti Abbas kërkon paqe me Izraelin ndërsa Hamasi, i cila ka vrarë qindra izraelitë me anë të shpërthimeve vetvrasëse, kërkon të shkatërrojë shtetin hebre. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Israeli e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Robert Malley, drejtor i programit për Lindjen e Mesme në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se marrja nën kontroll e Gazës nga Hamasi nënkupton se palestinezët kanë hyrë në një periudhë të jashtëzakoshme pasigurie.

“A do të vijnë furnizimet nga Izraeli? A do të jetë kufiri i hapur me Egjiptin? Çfarë do të ndodhë me kufinjtë ujorë? Këto pyetje po ngrenë të gjithë sepse është një situatë e re, një situatë e pashembullt dhe askush nuk e di se si të veprohet në këto kushte.”

Ndërkohë që vendet perëndimore po rifillojnë ndihmat për Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor dhe po premtojnë edhe më shumë para për të ndihmuar Kombet e Bashkuara për të financuar programet në Rripin e Gazës, po shtohen shqetësimet rreth mundësisë së një krize humanitare në Gaza me një popullsi prej 1 presje katër milion palestinezë. Ghaith al-Omari, me institutin New American Foundation i cili ka shërbyer si këshilltar i presidentit Abbas, thotë se palestinezët në Gaza përballen me izolim ndërkombëtar.

“Ne do të fillojmë të shohim dy realitete të ndryshme në Bregun Perëdimor dhe Gaza. Ka të ngjarë që Gaza e kontrolluar nga Hamasi të mos ketë ndihma ndërkombëtare. Do të shohim varfëri të mëtejshme dhe keqësim të gjendjes. Ndërsa Bregu Perëndimor mund të jetë më mirë.”

Robert Malley i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se presioni ndërkombëtar ndihmoi në nxitjen e përplasjes ndërmjet Hamasit dhe grupit Fatah.

“Pjesë e asaj që ndodhi mes grupit Fatah dhe Hamasit ka të bëjë shumë me përpjekjet e brendshme për fuqi, se kush do të marrë në kontroll sigurinë, kush do të kishte nën kontroll Organizatën për Çlirimin e Palestinës, kush do të kontrollonte Autoritetin Palestinez; dhe e gjitha kjo ishte një betejë rajonale dhe ndërkombëtare që fatkeqësisht nxiten njëra tjetrën.”

Disa analistë shprehin shqetësime se një bojkot i plotë i Hamasit mund ta kthejë Rripin e Gazës në një strehë për terrorismin ndërkombëtar.

Pikat bazë të projektit të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve janë të njohura prej vitesh, pavarësisht se nuk është bërë ndonjë përparim i ndjeshëm që nga përmbysja e procesit të Oslos. Analistët thotë se arritja e një zgjidhje për dy shtete të ndara duket më e vështirë se kurrë më parë, tani që vetë palestinezët janë thuajse të ndarë në dy territore të veçanta. //ze//

XS
SM
MD
LG