Lidhje

Bush, Olmert, shprehin mbështetje për Presidentin palestinez Abas


Presidenti Bush dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert shprehën mbështetje për presidentin palestinez Mahmud Abas në luftën e tij me grupin ekstremist Hamas. Zoti Bush dhe zoti Olmert i bënë komentet gjatë bisedimeve që patën dje në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me rigjallërimin e procesit të paqes. Presidenti Bush e quajti zotin Abas “president të të gjithë palestinezëve”. Zoti Olmert tha nga ana e tij, se do të bëjë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me zotin Abas. Javën e kaluar, Presidenti Abas i grupit Fatah, e shpërndau qeverinë palestineze të drejtuar nga Hamasi dhe pranoi betimin e kabinetit të ri të dielën, të kryesuar nga Salam Fajad, ekonomist i pavarur.

Pas takimit me Presidentin Bush, kryeministri izraelit Ehud Olmert shkoi në Kongres, për të biseduar me ligjvënësit amerikanë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Den Robinson, këto takime bëhen, ndërsa ligjvënësit amerikanë ju bashkuan administratës së Presidentit Bush dhe Izraelit, për ta mbështetur qeverinë e porsakrijuar në Bregun Perëndimor, të Presidentit palestinez Mahmud Abas:

Kryeministri Olmert, bashkë me udhëheqësit republikanë dhe demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, bënë disa komente të shkurtëra, para se të fillonin bisedimet mbrëmë vonë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Harri Rid ritheksuan mbështetjen e të dyja partive për Izraelin:

" Këtu janë mbledhur udhëheqësit republikanë dhe demokratë dhe në saje të mbështetjes së fuqishme të të dyja partive, ju keni rastin të shikoni se sa e fortë është marrëdhënia jonë me Izraelin. Jemi të nderuar nga vizita e kryeministrit izraelit dhe presin me kënaqësi të dëgjojmë prej tij se si është situata në Lindjen e Mesme," - tha zonja Pelozi

"Ne nuk kemi mik më të afërt në botë se sa shteti i Izraelit,"- tha zoti Rid.

"Më lejoni, zoti kryeministër t’ju shpreh atë që ju e dini tashmë, mbështetjen e fuqishme të të dyja partive në Kongresin amerikan për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kur është fjala për Izarelin, dhe për marrëdhëniet dy-palëshe mes të dy vendeve, nuk ka mendime të ndryshme në Kongres në radhët e të dy partive, mirëserdhët përsëri në Kapitol," - tha udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Miç Mekonell.

Kryeministri Olmert i falënderoi ligjvënësit që treguan mbështetjen e të dyja partive:

"Është një burim i madh fuqie dhe inkurajimi për popullin e Izraelit, që ta dijë se mund të mbështetet tek kjo miqësi, në kohë të mira dhe të këqija, se ne kemi kurdoherë mbështetjen e Kongresit amerikan."

Kjo ishte vizita e dytë e zotit Olmert në Kongres, në postin e kryeministrit. Kjo vizitë bëhet, ndërsa Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë dhe Izrareli, përpiqen ta mbështesin qeverinë palestineze të bazuar tek Fatahu të Presidentit Mahmud Abbas, i cili formoi qeverinë e emergjencës në Bregun Perëndimor, pasi grupi Hamas, që është kundër Izarelit, mori pushtetin në Gazë, pas luftimeve të ashpëra me Fatahun.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin Bush, në Shtëpinë e Bardhë, zoti Olmert tha dje se Izraeli do që të fuqizojë elementët e moderuar palestinezë. Këtë javë, në Kongres, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, Tom Lantosh, e mirëpriti vendimin e administratës së Presidentit Bush për rifillimin e ndihmës për palestinezët, për sa kohë që fondet amerikan nuk bien në duart e Hamasit.

Kongresi, po ashtu shprehu mbështetje për Izraelin nëpërmjet vendimeve të ndryshme, mes të cilave edhe një rezolutë, e cila i kërkon Këshillit të Sigurimit, ta akuzojë presidenti iranbian Mahmud Ahmadinexhad, se ka shkelur konventën ndërkombëtare kundër gjenocidit, me thirrjet e tij për shkatërrimin e Izraelit.

Presidenti Bush dje përsëriti shpresën e tij për një zgjidhje diplomatike ndaj çështjes bërthamore të Iranit, por përsëriti qëndrimin e tij prej një kohe të gjatë, se të gjitha opsionet duhen disktutuar. Në Kongres po shqyrtohen masa të tilla, si shtimi i presionit financiar ndaj Teheranit, nëpërmjet sanksioneve në sektorit energjetik, si dhe hapa të tjerë.//lk

XS
SM
MD
LG