Lidhje

Panairi i Aviacionit në Paris ekspozon teknologjitë e reja


Në Paris është hapur Panairi i 47 Ndërkombëtar i Aviacionit, ku ekspozohen teknologjitë më të reja në këtë fushë. Ky panair është në fakt një biznes i madh me pjesmarrjen e 42 vendeve.

Në panairin e këtij viti janë paraqitur më shumë se 140 lloje mjetesh fluturues – që nga reaktivët e deri te helikopterët, madje edhe telnologjitë e fundit të avionit Stealth që nuk diktohet nga radarët.

Është si një park lojrash për të apasionuarit. Por për kompanitë pjesmarrëse ky është një biznes serioz. Ata që kërkojnë avionë vijnë të gjithë këtu për të blerë. Jean Pierre Cojan i kompanisë SNEKMA, prodhuesi i katërt më i madh i motorëve të avionëve në botë, është i gatshëm të shesë. "Ne kemi në punë 16 mijë motora dhe sot në botë në çdo tre avionë, njëri përdor këtë lloj motori."

Një klient i vetëm mund të ndryshojë krejt fatin e një kompanie të vogël siç është firma hollandeze Akalef, e cila shet programe për sigurinë në fluturimin. Siç thotë Wil Nijsten i kësaj kompanie, Akalef e gjeti këtë klient në panairin e vitit të kaluar. "Ne shesim tre lloje programesh trainimi. Shpresojmë që edhe sivjet të gjejmë një klient po aq të madh."

Por jo të gjithë kanë ardhur për të shitur. Disa qeveri lokale, si ajo e shtetit amerikan të Alabamës kanë dërguar këtu njerëz me pikësynimin për të hapur vende të reja pune në rajonin e tyre. Ja ç’thotë Roger Wehner i Kompanisë Elektrike të Alabamës. "Qëllimi ynë është të gjejmë ato kompani aviacioni që do të dëshironin të transferoheshin në pjesën juglindore të Amerikës."

Panairi i sivjetëm i Parisit pritet të tërheqë më shumë se 200 mijë vizitorë nga 150 vende. //ii

XS
SM
MD
LG