Lidhje

Prof. Majër: Shtyrja e statusit të Kosovës duhet të shoqërohet me negociata serioze


Projektrezoluta që qarkulloi dje në Këshillin e Sigurimit, bën thirrje për shtyrjen me 120 ditë të zbatimit të planit të propozuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara Marti Artisari, për t’i dhënë Kosovës pavarësi të kushtëzuar nga Serbia. Profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Stivën Majër, thotë se shtyrja është pozitive, në se fuqitë e angazhuara perëndimore, zhvillojnë negociata serioze. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesor Majër tha se rifillimi i negociatave bën të mundur përfshirjen e shumë alternativave, si ndarja e Kosovës, votimi demokratik, ndryshimi i kufijve, alternativa këto që mund të jenë në avantazh si të serbëve edhe të shqiptarëve. Profesorin Majër e intervistoi kolegja, Zamira Edwards.

Zëri i Amerikës: Zoti Majër, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë propozuar një projekt-rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit për shtyrjen me katër muaj të zbatimit të Planit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Si e shikoni ju këtë shtyrje.

Prof. Majër: Presidenti i ri i Francës Sarkozi është përpjekur të luajë një farë roli udhëheqës në këtë çështje dhe është ai që e ka propozuar një shtyrje të tillë. Rusët tani për tani duan të testojnë situatën dhe nuk janë gati të dorëzohen. Mendoj se është në interesin e rusëve që të mos tërhiqen nga qëndrimi i tyre kundër pavarësisë së Kosovës dhe të presin se ç’mund të përfitojnë me këtë qëndrim. Shtyrja prej katër muajsh varet nga mënyra sesi komuniteti ndërkombëtar do ta shfrytëzojë këtë kohë. Nëse kjo kohë përdoret si më parë, duke u përpjekur të imponohen zgjidhje pa zhvilluar negociata të vërteta, gjëndja nuk do të ndryshojë. Në se komuniteti ndërkombëtar i thotë Prishtinës dhe Beogradit se do të zhvillohen negociata të rëndësishme e të sinqerta dhe duhen dërguar njerëzit më të mirë, mendoj se mund të bëhet përparim në negociata, por jo brënda 4 muajsh. Shtyrja për 4 muaj, në se gjatë kësaj periudhe zhvillohen negociata serioze, do të pasohet me një shtyrje tjetër sepse çështjet, që duhen zgjidhur, janë shumë të vështira.

Zëri i Amerikës: Pas rreth dy javësh, presidenti Bush do të takohet me homologun e tij rus, në shtetin Mejn. A mendoni ju se gjatë këtij takimi do të bëhet edhe një përpjekje tjetër nga pala amerikane, presidenti Bush, që ta bindë zotin Putin të mbështesë pavarësinë e Kosovës, e të mos përdorë veton.

Prof. Majër: Absolutisht. Një prej arsyeve të këtij takimi është fakti se kohët e fundit marrëdhëniet mes dy vendeve janë acaruar. Duhet vënë në dukje se ky takim zhvillohet në Kenibankport të shtetit Mejn, shtëpia verore e familjes Bush, diçka që nuk ka ndodhur ndonjëherë në të kaluarën, dhe kjo tregon se me sa seriozitet i shikon Uashingtoni marrëdhëniet e kohëve të fundit me Moskën mbi një sërë çështjesh. Me siguri që Kosova do të jetë në rendin e ditës dhe presidenti Bush do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e homologut të tij rus Putin për pavarësinë e Kosovës. Shtyrja me 4 muaj ndryshon deri diku dinamikën me që do të vazhdojnë negociatat dhe jam mëse i sigurtë se presidenti Bush do t’i kërkojë presidentit Putin që të japë kontributin e tij në bisedimet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Një argument tjetër që është bërë për një kohë të gjatë, dhe më së fundi nga nën-sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried, në përpjekje për ta bindur Serbinë, bashkë me Rusinë, që të mbështesin planin Ahtisari, është fajësimi i Millosheviçit, i spastrimit etnik të organizuar prej tij, që Serbia e humbi Kosovën. Sa i efektshëm është ky argument?

Prof. Majër: Është interesant fakti që serbët e varrosën Millosheviçin, ndërkohë që Perëndimi duket se nuk e ka bërë ende një gjë të tillë. Nuk ka dyshim që Millosheviçi luajti rol në gjithë këto zhvillime. Përveç zemërimit etik dhe moral, që ai shkaktoi me spastrimin etnik, veprimet e tij ishin një marrëzi e madhe nga ana strategjike, sepse ai bëri armiq edhe ata elementë në Evropë, që në të kundërtën do ta kishin mbështetur. Por të gjithë ata njerëz që e njohin historinë e Kosovës e të Serbisë e dinë se kjo gjendje i ka rrënjët shumë më të vjetra. Do t’u sugjeroja njerzve, që fajësojnë thjesht Millosheviçin për zhvillimet e sotme në Kosovë, që të njihen me historinë e këtij rajoni. Ndërsa në përgjithësi pranohet se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, ndarja e Kosovës është e mundur, madje për mendimin tim duhet të hidhet në tryezën e negociatave si një alternativë për t’u diskutuar edhe nëse nuk ndodh.

Zëri i Amerikës: Por ndarja e Kosovës është kundërshtuar nga të gjitha palët, e veçanërisht nga vendi, që mbështet më shumë pavarësinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara. Si mund të ndryshojnë tani negociatat dhe të përfshijnë alternativën e ndarjes së Kosovës?

Prof. Majër: Kjo është diçka e vështirë për t’u bërë, sepse fuqitë perëndimore duhet të pranojnë ndryshimin e qëndrimeve të tyre, por vetë fakti që të gjithë e kundërshtojnë këtë alternativë, mund të jetë diçka që ia vlen të shqyrtohet. Shtyrja, që për mendimin tim është pozitive, dhe rifillimi i negociatave bëjnë të mundur përfshirjen e shumë alternativave, jo vetëm ndarjen e Kosovës, por edhe votimin demokratik, ndryshimin e kufijve, alternativa këto që mund të jenë në avantazh si të serbëve edhe të shqiptarëve. Nuk ka arsye logjike se pse Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ta kundërshtojnë ndarjen apo ndryshimin e kufijve. Zhvillime të tilla kanë ndodhur gjithnjë në historinë evropiane e atë amerikane për 300-400 vjet dhe nuk ka arsye që të mos merret në konsideratë tani. Por kjo do të thotë që fuqitë e mëdha, përfshirë këtu edhe vetë Shtetet e Bashkuara, duhet të pranojnë se ndoshta ekzistojnë alternativa, që fillimisht u kundërshtuan, e tani duhen shqyrtuar. Në një rast të tillë kërkohen aftësi udhëheqëse dhe nëse në këtë proces angazhohen udhëheqës të vërtetë, të interesuar për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe me barazi, mund të pranohet se ndoshta gjërat duhet të ndryshojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Majër, dua të kaloj tani në çëshjen e sigurisë në Kosovë. Shqiptarëve të Kosovës iu premtua se çështja e Kosovës do të zgjidhej deri në fund të 2006-s. Mund të kalojë fare mirë gjithë 2007-ta para se të meret një vendim përfundimtar. Si e shikoni ju çështjen e sigurisë, dhe mundësinë e shpërthimit të dhunës në Kosovë?

Prof. Majër: Nuk ka dyshim se ekziston një mundësi reale për dhunë nga të dyja palët. Në se vazjdojnë përpjekjet për pavarësinë e Kosovës, mund të ketë akte dhune në veri të Kosovës dhe në komunitetet serbe në pjesë të ndryshme të Kosovës. Në se pritet gjatë, përsëri ekziston mundësia e akteve të dhunës. Pra sido që ta trajtosh këtë çështje, ekziston mundësia e dhunës. Do të doja të shtoja se vendet e angazhuara në këtë proces, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, herë herë edhe Franca, bënë dy gabime të mëdha: Nëse këto vende menduan se mund ta zgjidhnin çështjen deri në fund të 2006-s, ata nuk e kuptuan gjendjen atje, dinamikën, rëndësinë e kësaj çështjeje si për shqiptarët e Kosovës edhe për serbët. Këto vende menduan se mund t’i thërrisnin të dyja palët në Vjenë për të biseduar dhe çdo gjë do të zgjidhej. Së dyti, këto vende u treguan të papërgjegjshme dhe të padrejta ndaj të dyja palëve, duke mbajtur qëndrimin që mbajtën, në vend që të pranonin vështirësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Me vendimin për shtyrjen e zbatimit të Planit Ahtisari, duhen ndërmarë hapa të tjerë që të parandalohet dhuna, dhe kjo mund të bëhet në aspektin ekonomik, duke krijuar mundësi punësimi, ndihma për Kosovën, dhe programe të tjera që kanë të bëjnë me mirëqënien e popullsisë. //ze//

XS
SM
MD
LG