Lidhje

Surroi: “Kosova nuk mund të jetë peng i askujt”


Anëtari i ekipit të unitetit dhe kryetar i Partisë Reformiste Ora Veton Surroi tha sot se as Kosova e as perëndimi nuk mund të jenë peng i asnjë shteti në Këshillin e Sigurimit. Ai i bëri këto komente pas takimit me shefin e Fondit Monetar ndërkombëtarë në Kosovë Eduardo Ruggiero, me të cilin ka diskutuar kahet e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Zoti Surroi tha se Kosovës i duhet një procesi qartë dhe se ajo nuk mund të jetë peng i askujt. “Na duhet një proces i qartë, i identifikueshëm, i matshëm dhe me datë. Kosova nuk mund të shkoj prej një muaji në muajin tjetër e t`i thuhet hajt se shohim se çka po ndodh në këtë takim, hajt se shohim se çka po ndodh me këtë draft të rezolutës. Na nevojitet një proces i matshëm, një proces i cili ka datë, një proces i cili ka një bosht të veten kurrizor të ecjes”, tha ai.

Zoti Surroi tha se propozimi i krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari është i vulosur, i është dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe si i tillë është pranuar nga Parlamenti i Kosovës, me kusht që të jetë pjesë e një rezolute ndërkombëtare. “Për sa i përket paketës së z.Ahtisari, ajo në momentin që hapet për negociatë, është e pazbatueshme”, theksoi zoti Surroi.

Prishtina zyrtare ka tërhequr vërejtjen se hapja e këtij propozimi nënkupton se asnjëra prej atyre çështjeve të cilat janë ndërtuar si koncesione nuk do të vlejë më. E gjetur përballë vështirësive për shkak të zgjatjes së procesit, Prishtina zyrtare angazhohet për bashkërendim të veprimeve me Washingtonin dhe Brukselin, por kërkon përcaktim të qartë të afatit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG