Lidhje

Senati amerikan dëgjon dëshmi nga diplomati për postin e ambasadorit në Tiranë


Në Kongresin amerikan, nënkomisioni i Senatit për çështjet evropiane mbajti dje mbasdite një seancë për konfirmimin e zyrtarëve të emëruar si ambasadorë të rinj të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

John Withers, i emëruar si ambasador në Shqipëri tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt demokracisë, megjithatë mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Kjo tha zoti Withers do të shihet në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit. “Shqiptarët duhet ta kuptojnë se ata duhet të fillojnë të punojnë në interes të gjithë shoqërisë. Zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë do të jenë një barometër se me sa seriozitet i kanë marrë shqiptarët këshillat e miqve të tyre. Ne shpresojmë që shqiptarët do të arrijnë një konsensus lidhur me presidentin e ri dhe që procesi do të ecë përpara në një mënyrë të drejtë, të qetë dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare”, tha zoti Withers.

I pyetur nga kryetari i nën-komisionit të senatit për çështjet evropiane dhe kandidati presidencial, senatori nga shteti Ilinoi, Barak Obama, lidhur me përmbushjen nga Shqipëria të standarteve të ndërkombëtare, që janë edhe kushte për anëtarësimin në NATO, zoti Withers vuri në dukje se gridjet mes partive politikane shqiptare e vështirësojnë jetën politike të vendit, duke penguar lëvizjen e shpejtë të Shqipërisë, për të cilën, tha ai, ne të gjithë shpresojmë. “Shqipëtarët kanë bërë përparim të konsiderueshëm, kanë modernizuar ushtrinë, kanë marë masa për sa i përket shtetit juridik, kanë miratuar ligje të ndryshme si mbrojtja e dëshmitarëve dhe hapa të tjerë, që synojnë të luftojnë korrupsionin, që është një prej helmeve, që do të dëmtonte antarësinë në NATO. Ne ia kemi bërë të qartë qeverisë shqiptarë, si miqtë dhe përkrahësit e saj, se sa e rëndësishme është NATO-ja për ne dhe sa të vështira janë standartet për anëtarësinë në këtë aleancë. Shqipëria duhet të përmbushë këto standarte, me ndihmën dhe mbështetjen tonë.” Në se qeveria shqiptare përmbush standartet, dhe ne i bëjmë thirrje Shqipërisë të bëjë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, tha zoti Withers, shqiptarët do të jenë kandidatë të fortë për t’u anëtarësuar në NATO.

Ndërkohë, kandidati për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kameron Munter, vuri në dukje përparimin e bërë nga Serbia, duke u shkëputur, tha ai, nga periudha shkatërrimtare e sundimit të Millosheviçit. Megjithë punën që Beogradi ka bërë në dorëzimin e të akuzuarve për krime lufte, Serbisë, shtoi zoti Munter, i mbetet ende shumë punë për të bërë në këtë çështje të rëndësishme, meqë persona të tjerë për krime lufte, duke përfshirë edhe Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mlladiçin, nuk janë kapur ende. Zoti Munter përsëriti qëndrimin e administratës së presidentit Bush në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe të një Serbie të integruar në institucionet evropiane. “Zgjidhja e pritshme e statusit të Kosovës vazhdon të jetë një sfidë e madhe, me të cilën do të përballemi ne dhe miqtë tanë. Pavarësia e Kosovës do të sjellë qëndrueshmëri në Serbi dhe në rajon. Interesat amerikane në Serbi janë të qarta. Ne duam një Serbi të fortë si vend mik, që bashkëpunon me ne për një rend të përbashkët dite e integruar në institucionet perëndimore. Sfidat e politikës amerikane janë thuajse njëlloj të qarta. Ne duam t’i ofrojmë miqve tanë në Serbi shpresë për një të ardhme më të mirë, ndërsa shprehim fare qartë dhe të vendosur se çfarë presim prej tyre.” Kandidati për ambasador amerikan në Beograd Munter tha se Serbia duhet të bëjë më shumë për eliminimin e korrupsionit dhe për vazhdimin e procesit të privatizimit me rregulla transparente dhe pa ndërhyrje negative të forcave politike. Kandidatët e emëruar për ambasadorë të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë duhet të konfirmohen nga senati amerikan. //rd//

XS
SM
MD
LG