Lidhje

"Vatra", thirrje për konsensus në zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë


Federata Panshqiptare VATRA ka bërë një deklaratë, ku thotë se po ndjek me shqetësim, por edhe shpresë, zhvillimin e fushatës për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.

Vatra u bën thirrje deputetëve në Parlamentin Shqiptar, që në emër të interesit kombëtar, të bëjnë përpjekje maksimale për të arritur kompromisin e nevojshëm, që presidenti të zgjidhet me konsensus, për të shmangur nje krizë të re politike. "Në rast se nuk arrihet kompromisi"-, thuhet në Deklaratë, "qëndrimi i "Vatrës", është që, për hir të stabilitetit afatgjatë të shtetit shqiptar, Presidenti të zgjidhet nëpërmjet votimit popullor."

"Shqipëria, ka nevojë të largohet sa më shumë dhe të shkëputet nga e kaluara e rëndë gjysmë shekullore, dhe zgjedhja e presidentit të ri është një shans për të bërë një hap me rëndësi në atë drejtim, prandaj,"- thuhet ne Deklarate, -"Vatra" do të mirëpriste kandidimin e zotit Bamir Topi, pasi ai ka dëshmuar se është një politikan efektiv dhe i moderuar, që ka vlerësuar vazhdimisht interesat kombëtare mbi ato partiake. Në të gjitha sondazhet e zhvilluara, zoti Topi ka qënë politikani me mbështetjen më të gjërë popullore. Ai është një intelektual me vlera të spikatura qytetare, i pa implikuar dhe pa asnjë lidhje me nomenklaturën, institucionet dhe ideologjinë komuniste, të cilat i kanë shkaktuar shoqërisë shqiptare plagë dhe fatkeqësi të rënda. Zgjedhja e zotit Bamir Topi president i Shqipërisë do të ishte një hap shumë pozitiv për shkëputjen nga e kaluara e diktaturës dhe për afirmimin e demokracisë ne Shqiperi",- thuhet ne Deklaraten e organizatës Panshqiptare Vatra.

XS
SM
MD
LG