Lidhje

Gjata: KQZ-ja nuk garanton standarde për zgjedhje të parakohëshme


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, përshëndeti sot marrëveshjen e dy partive më të mëdha politike, që gjatë bisedimeve për presidentin e ri kane rënë dakord edhe për reformën zgjedhore. Zoti Gjata tha se shpresonte që partitë politike të gjenin mirëkuptim edhe për çështjen e presidentit, sepse zgjedhjet e parakohëshme nuk do të ishin të mirëpritura nga asnjëra palë, për faktin se janë ende të pranishme të gjitha parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet vendore.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata! Në debatet mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë është folur edhe për mundësinë që vendi të përfshihet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. A mendoni se Shqipëria është e gatshme teknikisht që të mbajë zgjedhje të parakohshme?

Çlirim Gjata: Unë nuk do ta uroja që kjo të ndodhë. Sapo kemi dalë nga një palë zgjedhje tepër të vështira, të lodhshme, të ndërlikuara, siç ishin zgjedhjet lokale. Patëm edhe zgjedhje për deputetë në dy zona si 26 e Shijakut dhe ajo 86 e Starovës; të dyja patën probleme dhe të dyja u bllokuan për shkak të politikës. U desh ndërhyrja e KQZ-së për të tejkaluar situatën. Nëse do të kemi zgjedhje në të gjithë Shqipërinë, do të jetë e pamundur që KQZ të numërojë gjithçka vetë, sic bëri për zonën 86 të Starovës. Ne kemi detyrimin kushtetues që të organizojmë zgjedhje, për ne nuk ka asnjë rëndësi nëse janë të parakohshme, apo nuk janë të tilla. Nëse presidenti dekreton një datë, ne jemi të detyruar që të organizojmë zgjedhje; kjo është detyra jonë. Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, ne do t'i organizojmë patjetër, por se çfarë standartesh mund të arrijnë ato zgjedhje, unë nuk di t'ua them tani, apo s'mund t'u garantoj diçka sot. Por, uroj që të mos shkojmë deri atje. Shpresoj dhe besoj që ne kemi aq aftësi shtetformuese për të përballuar një situatë si kjo. Ne kemi përballuar sfida të mëdha historike në vendin tonë, e jo më për të zgjedhur një president, që shpresoj se do të arrihet, dhe personalisht shpresoj se do të arrihet shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata! Dy partitë më të mëdha në vend kanë rënë dakord të premten për një dokument që parashikon vec detajeve për president, edhe për reforma të tjera politike e ligjore. Si e pritët ju këtë marrëveshje për reforma?

Çlirim Gjata: Unë do të veçoja reformën zgjedhore, sepse ajo më intereson. Mirë është që u fillua shpejt, është mirë që bashkëpunimi i tyre për reformën zgjedhore të vazhdojë po me këtë intensitet, të merret mendimi i KQZ-së, të fillojnë grupet e punës për probleme të ndryshme. Mendoj se politika duhet të përcaktojë çështjet themelore që i takojnë sistemit zgjedhor dhe pastaj të ndërhyhet në çështje që i takojnë administratës zgjedhore, sic janë komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, të cilat janë tej mase të fryra dhe shumë politike. Aty duhet gjetur një modus, në mënyrë që asnjë parti apo kandidat të mos ketë mundësi që të bllokojë zgjedhjet nëpërmjet komisionerëve të vet, siç na ka ndodhur edhe herë të tjera. Duhen kartat e identitetit, identifikimi i zgjedhësve, duhet një reformë e jashtëzakonshme aty dhe shumë e shpejtë, sepse ajo pengon shumë. Çështja e listave të zgjedhësve ka qenë gjithmonë problematike. Digjitalizimi i kartave të identitetit e zgjidh edhe këtë çështje. Pika e tretë ku do të thoja unë, duhet të ndërhyjë reforma zgjedhore është teknologjia; ne ende vazhdojmë me votimin manual dhe me numërimin manual të votave, gjithcka është e formalizuar në dokumente manuale, një dokumentacion shumë i gjerë për të kontrolluar procesin. Futja e teknologjisë do ta shkurtonte këtë proces, do ta bënte më transparent, do ta bënte më të lehtë, do ta thjeshtëzonte procesin, sepse kemi një proces zgjedhor shumë të ndërlikuar. Por të gjitha këto do të rregullohen pasi të arrihet një konsensus politik mbi sistemin zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata, pra duke vërejtur gjithë pengesat teknike që dolën në Shijak, në Pogradec, apo edhe në zgjedhjet vendore të shkurtit, a mendoni se zgjedhjet parakohshme të mundshme do të ishin cilësore dhe të pranueshme për nga standartet?

Çlirim Gjata: Nuk besoj, absolutisht. Nuk garantoj se do të kemi standarte në zgjedhje për gjashtëdhjetë ditë me të njëjtin ligj, me të njëjtin nivel që organizuam edhe zgjedhjet lokale, apo zgjedhjet e dy zonave në Shijak dhe Starovë. Praktika flet vetë: kanë ndodhur precedentët; kush mund të na garantojë se nuk do të ndodhin prapë? Jemi në të njëjtat kushte me zgjedhjet e kaluara. Prandaj uroj që të mos shkohet deri aty. Nuk shpresojmë shumë për cilësi të lartë, por ne do të bëjmë të pamundurën. Për sa i takon KQZ-së, ne e kemi të detyrueshme që të realizojmë standartet, por shumë gjëra të tjera që nuk varen nga ne, thjesht nuk varen nga ne. //kk//

XS
SM
MD
LG