Lidhje

Takimi Olmert-Abas synon forcimin e pozitave të presidentit palestinez

  • Paula Wolfson

Kryeministri izraelit Ehud Olmert dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas do të zhvillojnë sot një takim, në një kohë kur territoret palestineze janë përfshirë nga trazirat. Ekspertët e Lindjes së Mesme me siguri do ta ndjekin nga afër këtë takim.

Më pak se një javë pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush, kryeministri Ehud Olmert do të zhvillojë në Egjipt bisedime me zotin Mahmoud Abbas, me presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe me mbretin e Jordanisë, Abdullah.

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli theksuan mbështetjen e tyre për Presidentin Abbas, të cilin ata e shohin si udhëheqës legjitim të popullit palestinez.

Zoti Abbas është në mes të një lufte për pushtet, herë herë të dhunshme, me grupin ekstremist Hamas, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit të kaluar. Lëvizja e tij Fatah kontrollon tani Bregun Perëndimor ndërsa Hamasi kontrollon Gazën.

Takimi i sotëm në Egjipt do të synojë konsolidimin e zotit Abas dhe të qeverisë së emergjencës të krijuar prej tij pas shpërbërjes së parlamentit dhe shkarkimit të kryeministrit që ishte i lidhur me Hamasin.

Gjatë komenteve të bëra dje në CNN, ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Sallai Meridor, tha se vendi i tij beson se takimi do të jetë shumë i rëndësishëm. Por ai shtoi se Izraeli nuk mund të diktojë i vetëm se çfarë ndodh në rajon dhe se në fund të fundit do të jenë vetë palestinezët që do të vendosin për fatin e tyre.


"Ne, Amerika dhe miqtë e tjerë në rajon mund dhe duhet t’i ndihmojnë ata sa më shumë por në fund të fundit ata duhet të kuptojnë se kjo do të jetë zgjedhja e tyre, do të vendoset nga ata vetë."

Në të njëjtin program televiziv, ambasadori egjiptian në Uashington theksoi rrezikun që përbën përçarja në radhët palestineze. Ambasadori Nabil Fahmy tha se midis Fatahut dhe Hamasit duhet të lindë dialogu.



"Ne mendojmë se ky është një devijim serioz i çështjes palestineze. Ne do t’u kërkojmë me insistim palestinezëve që të bisedojnë me njëri-tjetrin kur të krijohen kushtet dhe të respektojnë legjitimitetin e Autoritetit Palestinez."

Një nga ekspertët më të njohur amerikanë për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, i intervistuar nga televizioni tha se trazirat e fundit në territoret palestineze ndoshta po i shërben Fatahut si një këmbanë alarmi për të parë në sy realitetin.

"Mendoj se çështja kryesore do të jetë kjo: A është tani Fatahu i gatshëm të ndërmarrë hapat e duhur që do ta ndihmonin të rivendoste besueshmërinë mes popullit palestinez. Ata humbën zgjedhjet kryesisht për shkak se kishin humbur besueshmërinë dhe konsideroheshin si të korruptuar. Ata shiheshin si të shkëputur nga nevojat e palestinezëve.”

Zoti Ross tha se Fatahu dhe Hamasi janë tani të angazhuar në një luftë për identitetin palestinez. Fatahu, i cili shihet si më i moderuar, thotë zoti Ross, ka tani mundësinë për të marrë në dorë frenat politike. Eksperti, nga ana tjetër tha se dyshon që Hamasi të ndryshojë dhe të largohet nga qendrimi i vet i skajshëm. //ii

XS
SM
MD
LG