Lidhje

Përpjekje pa sukses mbi zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë


Bisedimet midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të gjetur mirëkuptim mbi kandidaturën e Presidentit të ri, hasën sot vështirësitë e para, kur pritej që të shqyrtoheshin pretendentët e parë. Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha deklaruan se ishin marrë vesh që presidenti i ri të vinte nga radhët e politikës me përvojë në administratën shtetërore, por asnjë emër nuk u përmend në tryezën e sotme.

Përfaqësuesi i PS, Blendi Klosi, tha se vështirësitë e këtij raundi bisedimesh u shfaqën sapo erdhi çasti i emrave të përveçëm. Sipas tij, sot u diskutua mbi kriteret e presidentit të ri, i cili duhet të jetë një kandidaturë konsensuale.

"Vështirësia më e madhe është fakti që për grupin negociator të së djathtës është shumë e vështirë të pranohet që presidenti duhet të vijë nga politika e majtë. Lista e tyre vazhdon të jetë shumë e koncentruar tek emri i Bamir Topit, që për momentin po bëhet pengesa kryesore në këto negociata," tha zoti Klosi.

Ndërkaq deputeti i PS, nuk ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve, se përse partia e tij nuk paraqiti as sot emra kandidatësh të majtë në tryezën e sotme.

Ndërsa përfaqësuesi i PD, Astrit Patozi, se opozita nuk solli sot asnjë emër kandidati për president, siç ishin marrë vesh se do të ndodhte. Sipas tij, përfaqësuesit e PS deklaruan në tryezë se të gjithë deputetët e opozitës që kanë mbushur moshën 40 vjeç janë kandidatura potenciale për president, gjë që nga maxhoranca u vlerësua si joserioze.

Zoti Patozi tha se PD nuk paraqiti kandidaturën e zotit Bamir Topi, por priti që opozita të sillte kandidaturën e vet, ndaj nuk u diiskutua asnjë listë dhe asnjë emër.

"Ne që në fillim ishim në pritje të kandidaturës së opozitës, duke kërkuar konstruktivitet nga pala tjetër. Ne i pranuam atyre pak ditë më parë paketën që propozuan, dhe duke respektuar opozitën, ne kërkuam ofertën e tyre në rradhë të parë. jemi ende në pritje të opozitës. As emri i zotit Topi dhe as dicka tjetër nuk është bërë pengesë për këto negociata. Negociatat vazhdojnë," tha zoti Patozi.

Të dyja palët po i vazhdojnë bisedimet me shpresa se çështja e presidentit të ri do të zgjidhet deri të mërkurën, kur parlamenti ka seancën e rradhës. //ze//

XS
SM
MD
LG