Lidhje

Gazpromi rus përpiqet të shtrihet më tej në tregjet perëndimore


Gazpromi, kompania ruse e kontrolluar nga shteti e cila ka monopolin në prodhimin e gazit rus, dhe kompania italiane ENI, njoftuan kohët e fundit planet për të ndërtuar një tubacion të ri nën Detin e Zi deri në Bullgari dhe më pas në Itali. Projekti prej disa miliarda dollarësh do të shtrijë edhe më tej depërtimin e Gazpromit në tregjet e Evropës perëndimore:

Njoftimet e medias italiane bëjnë të ditur se projekti madhor Rryma Jugore do të kushtojë deri në 15 miliardë dollarë. Dy kompanitë do të ndajnë mes tyre koston e ndërtimit të tubacionit prej 900 kilometrash nën ujërat e Detit të Zi deri në Bullgari. Nga kjo pikë, tubacioni do të zgjatet drejt Italisë ose duke marrë drejtimin perëndimor përmes Greqisë, ose atë veriperëndimor përmes Serbisë dhe Kroacisë. Vladimir Socor, analist për çështjet energjetike në Mynih, thotë se Gazpromi po forcon pozitat e tij si furnizuesi dominues i gazit në tregun evropiano-perëndimor.

"Kjo marrëveshje është vazhdimësi e politikës së Gazpromit për të kapur tregje dhe infrastrukturë në Evropë. Gazpromi po e fiton këtë garë kundër interesave perëndimore."

Italia është klienti i dyti më i madh që Gazpromi furnizon në Evropë, pas Gjermanisë. Socor thotë se nëse bëhet realitet, projekti Rryma Jugore do të shënonte një goditje të rëndë për Nabukon, një alternativë që gëzon mbështetjen perëndimore, i cili parashikon që të anashkalohet Rusia duke e sjellë gazin nga Azia Qendrore përmes Turqisë për në Evropën Perëndimore.

Ky plan që po diskutohet prej vitesh, ende nuk ka siguruar financim. Muajin e kaluar, Nabuko pësoi një goditje të rëndë kur Kazakistani dhe Turkmenistani nënshkruan një marrëveshje me Rusinë për një tubacion të ri që do të transportojë gaz turkmen dhe kazak përmes Rusisë, drejt perëndimit.

Socor thotë se Gazpromi po përpiqet të vendosë të njëjtin kontroll monopolizues edhe mbi eksportet e gazit nga Azia qendrore.

"Kjo nënkupton se Gazpromi do të jetë në gjendje të ushqejë tubacionin Rryma Jugore dhe tubacione të tjera që furnizojnë Evropën me gaz nga Azia qendrore, të prezantuar si gaz rus."

Janë zgjuar shqetësime se Evropa Perëndimore, që ka mbi 40 për qind të importeve të gazit të lidhura me furnizimet ruse, po bëhet tepër e varur nga gazi rus. Megjithatë, shumë vende, mes tyre Gjermania, Italia, Greqia, Bullgaria dhe Hungaria janë treguar të zellshme të zgjerojnë lidhjet me Gazpromin, një kompani e kontrolluar nga Kremlini, e cila është njëkohësisht prodhuesi më i madh i gazit në botë.

Vitali Mekushev, drejtori i Rrjetit për Studime të Politikave Euroaziatike në Moskë thotë se Gazpromi nuk operon në të njëjtën mënyrë transparente si kompanitë perëndimore.

"E pranoj se kompanitë ruse duhet të jenë më transparente, në veçanti Gazpromi. Duhet të bëhen përmirësime."

Për sa i përket vlerës së përgjithshme të aksioneve, Gazpromi është kompania e tretë në botë nga kapitali. Drejtuesi i saj Aleksander Medvedev thotë se kapitali i Gazpromit pritet të katërfishohet dhe të arrijë në 1 trilion dollarë brenda 2017-s, duke e bërë atë korporatën më të madhe në botë.//ii

XS
SM
MD
LG