Lidhje

Senati amerikan voton mbi rifillimin e debatit për imigracionin


Senati amerikan ka votuar për të rifilluar debatin për projektligjin e imigracionit që mbështetet nga presidenti Bush dhe që legalizon miliona imigrantë pa dokumenta.

Votimi në Senat ishte 64 me 35 për të rifilluar debatin që do të lejonte votimin mbi reformën e imigracionit. 60 vota ishin të nevojshme nga të 100 anëtarët. Një votim i ngjashëm në Senat në fillim të muajit nuk kapi shumicën e nevojshme të votave.

Votimi u mbajt në Senat sot për një hap procedurial për të mbajtur gjallë legjislacionin që u mundësua nga një grup dypartiak senatorësh dhe anëtarë drejtues të administratës së presidentit Bush. Ajo përfshin masën për të përmirësuar sigurinë e kufijëve dhe procedurat për të siguruar që punëtorët të jenë të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Ligji do t’u japë gati 12 milionë imigrantëve të paligjshëm në vend mundësinë për të aplikuar për status ligjor.

Disa ligjvënës konservatorë e kundërshtojnë me forcë ligjin që do të lejojë imigrantët e paligjshëm të aplikojnë për status të përhershëm banimi duke thënë se ajo u jep atyre amnesti. Ligji përballet gjithashtu me disa kundërshtime nga sindikatat e punës që thonë se programi i punëtorëve të përkohshëm do të krijojë një nënklasë të krahut të lirë të punës. //ze//

XS
SM
MD
LG