Lidhje

Senatori Lugar kritikon strategjinë e administratës për Irakun

  • Nga Tejt
  • Uashington

Një senator republikan me ndikim thotë se politika e presidentit Bush për Irakun nuk po funksionon dhe po bën thirrje për të ulur numrin e forcave amerikane në Irak. Komentet e senatorit Lugar kane ndezur një debat tjetër rreth luftës dhe bënë që republikani i dytë në senat të mbështesë thirrjen për tërheqjen e trupave nga Iraku.

Senatori Lugar, Kryetari republikan i Komisionit te Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, vuri në shënjestër strategjinë e presidentit Bush për shtimin e trupave në Irak, gjatë një fjalimi në Senat.

"Sipas mendimit tim, kostot dhe rreziqet e vazhdimit të kësaj strategjie peshojne me teper sesa të mirat që mund të arrihen. Vazhdimi i strategjisë së shtimint të trupave do të vonojë përshtatjen e politikave, që kanë një shans më të mirë për të mbrojtur interesat tona jetike në një periudhë afatgjatë."-tha Senatori Lugar.

Zoti Lugar tha se politik a e tanishme po kufizon efektivitetin e diplomacisë amerikane në mbarë botën dhe po shterron burimet ushtarake të vendit. Ai bëri thirrje për pakësimin e trupave amerikane në Irak dhe ridislokimin e disa prej këtyre forcave në rajon, para se të fillojë fushata presidenciale e vitit të ardhshëm, kur, shtoi zoti Lugar, konfrontimi mes partive do ta bënte bashkëpunimin për sigurinë kombëtare gati të pamundur.

Me komentet e tij të hënën në mbrëmje, zoti Lugar u veçua nga shumica e ligjvënësve të tjerë republikanë që kanë thënë se do të presin për të vlerësuar strategjinë në Irak deri në shtator, kur komandanti i lartë i trupave amerikane në Irak, gjenerali David Petraeus të informojë Kongresin.

Por dje, një anëtar tjetër republikan i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Xhorxh Voinoviç, ju bashkua zotit Lugar në thirrjet për tërheqjen e trupave. Voinoviç i dërgoi presidentit Bush një letër, ku shprehte besimin e tij, se Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë të hartojnë një plan bashkëkohor për tërheqje graduale nga Iraku.

Edhe para se letra e zotit Voinoviç të bëhej publike, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harri Rid, tha se komentet e zotit Lugar mund të shërbejnë si mbështetje politike për shumë republikanë që kërkojnë të sfidojnë politikën e presidentit Bush për Irakun.

" Kur kjo luftë të përfundojë, kur të shkruhen librat e historisë dhe ato do të shkruhen, besoj se fjalët e Senatorit Lugar do të mund të mbahen mend, si një pikë kthese në këtë luftë civile të vështirë në Irak."-tha Senatori Rid.

Muajin e ardhshëm, zoti Reid ka në plan të zhvillojë një votim mbi disa amendamente kundër luftës, në projekligjin për politikën e mbrojtjes, përfshi propozimet për të shkurtuar fondet për operacionet luftarake, tërheqjen e trupave dhe heqjen e autorizimit të Kongresit në vitin 2002, për ndërhyrjen nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Irak.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Toni Snou tha se komentet e zotit Lugar nuk përbëjnë ndonjë gjë të re dhe theksoi se senatori ka kohë që ka patur rezerva për shtimin e trupave. Por zoti Lugar u tha gazetarëve se zyrtarët e administratës e telefonuan atë për të caktuar një takim me të së shpejti.//lk

XS
SM
MD
LG