Lidhje

Kariera e Toni Blerit


Kryeministri britanik Tony Blair largohet nga posti më 27 qershor pas një dekade gjatë së cilës ai e rigjallëroi Partinë e tij Laburiste, ndoqi një politikë të jashtëme intervencioniste dhe i forcoi më tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Por një vendim që mori zoti Blair gjatë mandatit të tij e dëmtoi atë mjaft politikisht dhe kjo ishte mbështetja e palëkundër për luftën në Irak.

Ai u ngjit në skenën politike në moshën 43-vjeçare – karizmatik, gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë dhe plot energji për ta futur Britaninë në shekullin e 21. Pas një fitoreje të bujshme në vitin 1997, Tony Blair premtoi një drejtim të ri për vendin.

"Ju, populli britanik, na keni dhënë rastin t’ju shërbejmë. Ju na keni dhënë besimin dhe ja ku po ju themi se do t’jua shpërblejmë këtë besim. Ne qeverisim për ju".

Ai premtoi ta rigjallëronte vendin me një politikë dinamike dhe të efektëshme që i përshtatej më mirë ekonomisë globale. Ai premtoi më tepër programe sociale dhe solli një stil qeverisës të ri dhe më të shpenguar në Downing Street.

Por nuk ishte vetëm stili dhe aftësia për të komunikuar me njeriun e thjeshtë që e bëri popullor Tony Blair-in. Biografi i tij, Anthony Seldon thotë se një ndikim këtu pati edhe aftësia e tij politike.

"Ai fitoi më shumë zgjedhje se asnjë kryeministër tjetër laburist. Ai ia ndryshoi fytyrën Partisë Laburiste, solli paqe në Irkandën e Veriut pas shumë vjet luftimesh".

Procesi i paqes në Irlandën e Veriut i nisur në vitin 1998 u kurorëzua më pak se dy muaj më parë me formimin e një qeverie uniteti katoliko-protestante në këtë provincë. Zoti Blair ishte në Belfast për ceremoninë solemne të marrëveshjes.

"Irlanda e Veriut ishte sinonim i konfliktit. Njerëzit mendonin se paqja ishte e pamundur madje disa thoshin se ajo nuk duhej arritur pasi kompromiset e propozuara ishin tepër të këqia. Por në fund, ajo u bë dhe ky shërben si mësim për konfliktet kudo në botë".

Përballimi i konflikteve të ndryshëm u bë guri themeltar i politikës së jashtëme intervencioniste të Blair-it. Në vitin 1999, ai argumentoi me forcë në favor të ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Ndërhyrjes britanike të vitit 2000 në Sierra Leone iu njoh merita se ndihmoi për t’i dhënë fund luftës së ashpër civile në këtë vend afrikan.

Në vitin 2001, zoti Blair fitoi me shumicë dërrmuese një mandat të dytë në postin e kryeministrit por pastaj erdhi 11 shtatori 2001 dhe bota ndryshoi.

"Tmerri i asaj që ndodhi sot paradite në Shtetet e Bashkuara po bëhet tashmë më i qartë. Është e vështirë qoftë edhe ta përfytyrosh kasaphanën dhe terrorin që mori me vete aq shumë jetë të pafajshme njerëzish".

Ai i qendroi në krah Presidentit amerikan George Bush, duke i forcuar akoma më shumë lidhjet Londër- Uashington. Ai luajti një rol të pazëvendësueshëm në argumentimin e ndërhyrjes kundër al-Kaidës në Afganistan dhe u bashkua me vullnetin e tij në luftën në Irak.

Përsëri, biografi i Blair-it, Anthony Seldon:

"Ai e bëri këtë plotësisht me dashje. Ai ishte i bindur se ishte në interes të Britanisë bashkëpunimi i ngushtë me Shtëpinë e Bardhë dhe me Presidentin Bush, takimet e shpeshta me të, organizimi i videokonferencave të përjavëshme me presidentin pasi mendonte se kjo ishte mënyra më e mirë për të ushtruar ndikimin britanik".

Ndonëse zotit Blair i njihet merita se e zbuti pozicionin e administratës Bush për të ndërhyrë e vetme në Irak në fazën përgatitore të kësaj ndërhyrjeje, ai është kritikuar ashpër se nuk mundi të ndikoi rrjedhën e mëvonëshme të kësaj lufte.

Michael Brown, ish anëtar konservator i parlamentit, tani komentator politik për gazetën Independent, thotë për Zërin e Amerikës se Iraku ishte gabimi më i madh i Tony Blair-it.

"Trashëgimia që do të mbetet prej tij në jetën publike britanike, do të jetë Iraku. Iraku do të gdhendet në gurin e tij të varrit kur të shkruhet historia e mandatit të tij si kryeministër".

Iraku e dëmtoi popullaritetin e zotit Blair e megjithatë ai fitoi një mandat të tretë në vitin 2005.

Pastaj, në korrik, sulmet terroriste kundër sistemit të transportit në Londër u morën jetën 52 personave. Londra u mbush me spekulime se Tony Blair-i nuk do të rezistonte dot deri në zgjedhjet e 2010-s. Dhe spekulimet dolën të vërteta:

"Sot, unë po shpall vendimin për t’u larguar nga posti udhëheqës i Partisë Laburiste".

Është ende herët për të parashikuar se si do të mbahet mend Tony Blair-i, por tani për tani mund të thuhet me siguri se Iraku ka hedhur një hije të rëndë mbi trashëgiminë e tij politike. //rd//

XS
SM
MD
LG