Lidhje

Bush humbet edhe më tej mbështetje për politikën e luftës në Irak


Presidenti Bush ka humbur edhe më tej mbështetjen e opinionit publik amerikan si dhe të disa republikanëve të partisë së tij në Kongres lidhur me luftën në Irak. Këtë javë, dy senatorë republikanë me influencë e braktisën politikën e durimit të Presidentit Bush, këmbënguljen e tij për të pritur për raportin e shatorit mbi operacionet ushtarake në Irak. Në të njejtën kohë sondazhet e opinionit tregojnë popullariteti i Presidentit është në pikën më të ulët ndonjëherë. Këto zhvillime vinë ndërkohë që demokratët kanë në plan ta bëjnë Kongresin të votojë përsëri për të filluar tërheqjen e trupave nga Iraku.

Në Senatin amerikan, Senatori veteran republikan në Komision për marrëdhëniet me jashtë, Richard Lugar, i bën thirrje administratës të ndryshojë kursin në Irak.

”Ne e kemi mbivlerësuar se çfarë mund të bëjë ushtria. Ne kemi përcaktuar objektiva jorealiste dhe nuk i kemi shqyrtuar si duhet pasojat më të gjera të veprimeve tona në rajon”.

Një tjetër republikan, Senatori George Voinovich, bëri të ditura me shkrim rekomandimet e tij që presidenti të përgatisë një plan për tërheqjen graduale të trupave.

"Do të shpresoja që shumë nga kolegët e mi do t’i thoshin direkt ose tërthorazi, Shtëpisë së Bardhë se nuk po mbetet më kohë”.

Presidenti Bush i përmbahet me konseguencë politikës së tij në Irak, megjithëse anketat e opinionit tregojnë se mbështetja për të është nga 26 në 30 përqind, niveli më i ulët gjatë gjithë presidencës së tij. Dje, Presidenti Bush bëri të ditur se do të emërojë një të dërguar të posaçëm për të forcuar lidhjet me botën islamike.
Dërgimi në Irak i 30 mijë truapve shtesë, që presidenti urdhëroi në fillim të vitit, përfundoi më 15 qershor. Masa të reja sigurimi brenda dhe jashtë Bagdadit, filluan në muajt të parë të vitit dhe zyrtarët ushtarakë thanë se operacionet e tyre do të intensifikohen këtë verë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, u tha gazetarëve se është shumë shpejt për të gjykuar që tani nëse strategjia e Presidentit është e suksesshme apo e dështuar.

"Kanë kaluar vetëm 12 ditë nga fillimi i operacionit më të fortë ushtarak që kur u intensifikuan luftimet”.

Në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhëniet me jashtë:

"Shtimi i trupave nuk ka dhënë rezultat. Nuk po funksionon tani dhe nuk do të funksionojë në të ardhmen”.

Kongresmeni Gary Ackerman dhe shumë demokratë të tjerë kanë bërë thirrje për tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku ose të paktën të praqitet një plan për tërheqjen. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve mbështesin administratën për të pritur deri në shtator, kur komandantët ushtarakë në Irak të paraqesin raportin. Kongresmeni republikan Dan Burton:

"Ajo sapo ka filluar. Ne e kemi fjalën për muajt kkorrik dhe gusht. Unë nuk gjej arsye që të mos presim edhe 60 ditë, për të para raportin e gjeneralit Petraeus."

Eksperti i strategjisë ushtarake, Anthony Cordesman, shpesh kritik ndaj politikës së luftës së zotit Bush, i tha komisionit se periudha e vlerësimit deri në shtator është shumë e shkurtër.

"Një vlerësim i mirë i punën së policisë dhe ushtrisë irakiane do të kërkonte një periudhë më të gjatë, ndoshta deri në mes të vitit 2008. Ka shumë mundësi që kjo të jetë e prapranueshme”.

Kongresmeni republikan Dana Rohrbacher, një nga përkrahësit më të fortë të presidentit Bush, thotë se kjo është politikisht e papranueshme.

"Ne do të tërhiqemi, ne do të fillojmë të tërhiqemi sepse kjo është natyra e sitemit tonë. Ne po i përgjigjemi vullnetit të popullit”.

Demokratët në Kongres pritet ta bëjnë Kongresin të votojë në korrik për politikën e Presidentit në Irak. Pritet gjithashtu që udhëheqësit e Kongresit të votojnë për të ardhmen e angazhimit ushtarak amerikan në Irak pas raportit të paraqitur nga gjeneralët në shtator. //iç//

XS
SM
MD
LG