Lidhje

Shqipëri:Shumica mirëpret idenë e listës së kandidatëve për president


Maxhoranca e djathtë mirëpriti në Tiranë vendimin e opozitës për të paraqitur në bisedimet e ardhshme dypalëshe me një listë kandidatësh për president.

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, përfaqësues i PD në bisedimet me opozitën thotë se çdo propozim i opozitës është i mirëpritur, por PD në bisedime as nuk ve kushte dhe as nuk pranon kushte. "Ne e mirëpresim këtë hap të opozitës. Kjo është pika ku negociatat u bllokuan. jemi të hapur në cdo cast që të ulemi në tryezë bisedimesh, pa vënë kushte dhe pa pranuar kushte. Vendosja e një kushti nga opozita ndaj kandidaturës së zotit Topi mendoj se është një cështje që mund të bllokojë përsëri negociatat, apo sic është shprehur opozita do të pengojë pjesëmarrjen e tyre në Kuvend. Ky kusht nuk është zgjidhja e problemit. Ne jemi deputetë dhe deputetët janë votuar për të përfaqësues elektoratin dhe një nga detyrimet kushtetuese është edhe pjesëmarrja në Kuvend për zgjedhjen e presidentit dhe shprehja e mendimit me votë në rast se mirëkuptimi nuk gjendet në tyrezë" - thotë zoti Oketa. Ai tha gjithashtu se maxhoranca është e hapur dhe e gatshme që të tolerojë në bisedime, por lidhur me kandidimin e zotit Bamir Topi, ai theksoi se askujt nuk mund t'i ndalohet një e drejtë kushtetuese.

Ndërkaq nga opozita vazhdon me këmbëngulje refuzimi i kandidaturës së zotit Topi si kandidat për president. Deputetja e njohur dhe antarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, tha se opozitës duhet t'i njihet e drejta për të propozuar presidentin e ri. "Kjo është një situatë aspak e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Qëndrimi që është mbajtur nga koalicioni i majtë shpreh edhe shqetësimin që nuk ka rregulla loje lidhur me procedurat për zgjedhjen e presidentit. Nuk është normale që në tryezë ende nuk palët nuk janë ulur duke respektuar atë përvojë që presidenti t'i jepet për propozim asaj force që është në opozitë. Kjo është normale për të ruajtur balancën midis institucioneve, sidomos kur flitet për respektim të opozitës dhe ndarje të përgjegjjësive" - thotë zonja Meksi. Ajo tha se është megjithatë optimiste se politikanët shqiptarë do të gjejnë një zgjidhje, si gjithmonë në castet e fundit. Partia Socialiste dhe aleatët e saj të opozitës vendosën dje që të paraqiten në bisedimet e ardhshme me maxhorancën me një listë të përbashkët kandidaturash për president. Ata vendosën gjithashtu se nuk do të marrin pjesë në seancë parlamentare nëqoftëse aty votohet si kandidaturë për president emri i zotit Bamir Topi. Bisedimet mes PD dhe PS pritet të rifillojnë të premten, ndërkohë që parlamenti ka humbur dy seanca pa votuar për kryetarin e ri të shtetit pikërisht për shkak të mungesës së kandidaturave zyrtare përkundër numrit të madh të emrave që përmenden si të përshtatshëm për atë post.

XS
SM
MD
LG