Lidhje

Bush: Në Irak ka shenja shprese që flasin për përparim

  • Scott Stearns

Presidenti Bush thotë se në Irak ka shenja shprese që flasin për përparim ndërkohë që 30 mijë trupa amerikane shtesë vazhdojnë të ndeshen me terroristët e al-Kaidës. Komentet e presidentit bëhen ndërkohë që nga Iraku vijnë njoftime të reja për dhunë të përgjakëshme.


Presidenti Bush thotë se përforcimet e trupave amerikane në provincën al-Anbar e kanë ulur dhunën e atjeshme sektare megjithë përpjekjet e al-Kaidës për të rimarrë bazën e saj të operacioneve.

"Ajo po përpiqet të vrasë sheikë dhe të frikësojë popullatën vendase. Ne duhet të jemi të përgatitur për të parë akte të tjera dhune dhe hapa të tjera prapa por një provincë e cila më parë konsiderohej e pashpresë tani ka një nivel qetësie dhe qendrueshmërie që ishte e papërfytyrueshme pak muaj më parë."

Presidenti i bëri komentet në Kolegjin Ushtarak të Marinës në shtetin verilindor Rhode Island. Ai është nën presionin e demokratëve të Kongresit dhe disa ligjvënësve republikanë që të demonstrojë se shtimi i numrit të trupave amerikane në Irak po jep fryte.


"Ne jemi tani në fazën fillestare të ofensivës. Më në fund i kemi trupat atje. Amerikanët duhet të kuptojnë se kërkohet një farë kohe për të mobilzuar trupat shtesë dhe për t’i dërguar ato nga Shtetet e Bashkuara në Irak."

Anketat e opinionit tregojnë se një shumicë amerikanësh besojnë se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak ishte e gabuar. Një anketë e Revistës Newsweek javën e kaluar thoshte se 73 përqind e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si presidenti po e trajton luftën në Irak.

Në komentet e tij të djeshme, presidenti përsëri u përpoq të lidhë luftën në Irak me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe përsëri akuzoi Iranin dhe Sirinë se ndihmojnë al-Kaidën në Irak.

"Vërshimi i luftëtarëve të huaj dhe i mbështetjes nga jashtë e bën këtë detyrë akoma më të vështirë: më të vështirë për irakianët dhe më të vështirë për trupat tona. Ne mund të presim viktima të tjera ndërkohë që forcat tona hyjnë në bazat e armikut dhe sprapsin ndërhyrjen e huaj."

Presidenti tha se është i inkurajuar nga ajo që shikon në Irak megjithë strategjinë e al-Kaidës për të përdorur shpërthimet vetvrasëse dhe për të krijuar imazhe makabre, gjë që sipas tij synon të kthejë prapa përparimin e pabujshëm të arritur në terren.

Policia e Bagdatit njoftoi se dje, në kohën e trafikut të dendur të mëngjesit, një shpërthim vetvrasës në një stacion autobusi shkaktoi vrasjen e 21 vetëve dhe plagosjen e 40 të tjerëve në një lagje kryesisht shiite. Zyrtarët thanë gjithashtu se në një fshat suni kishin gjetur buzë një lumi trupat e 20 burrave pa kokë, me duar dhe këmbë të lidhura. //ii
XS
SM
MD
LG