Lidhje

Shqipëria, për herë të parë në tregun ndërkombëtar të kapitaleve


Shqipëria u përfshi sot për herë të parë në renditjen e sistemeve ndërkombëtare të tregut të kapitaleve. Kompania "Moody Investors Service" i jep Shqipërisë vlerësimin B1, për aftësinë e qeverisë së saj për të paguar borxhet. Vlerësimi lidhet me lëshimin e letrave me vlerë dhe aftësinë që ka qeveria për të paguar investitorët që i blejnë ato.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha sot se kjo ngjarje shënon një vlerësim për reformat ekonomike që po ndjek qeveria, si dhe hap një periudhë të re për sistemin financiar e bankar shqiptar për të zgjeruar kapacitetet e veta, sepse ai do të ballafaqohet këtej e tutje me investime të shumta dhe banka të mëdha.

"Ne jemi pikërisht në momentin e thyerjes së tabuve tradicionale që kanë ekzistuar në Shqipëri, kur në një vit nuk janë bërë asnjëherë më shumë se 130 - 150 milionë dollarë investime të huaja, për të kaluar në parametra që janë realiaht disa herë më të mëdha se tradita e derisotme. ne nuk marrim borxhe në mënyrë të panevojshme por për të kryer investime publike, të cilat japin realisht ekonomisë së vendit impulse zhvillimi" .

Sipas vlerësimit të kompanisë Moody, për shkak të tregjeve financiare të pazhvilluara, Shqipëria ka një strukturë të pafavorshme të pagimit të letrave me vlerë, por nga ana tjetër, thuhet në vlerësimin e kompanisë, Shqipëria përfiton pozitivisht nga orientimi pro-biznesit i klasës së saj politike. Ministri Bode tha sot se pjesëmarrja dhe renditja e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare do të kërkojë që këtu të rriten me shpejtësi aftësitë e përgatitjes së projekteve dhe thithjes së investimeve.

"Përmes hyrjes së drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare në tregun ndërkombëtar të kredive, krijon një fleksibilitet më të madh për përdorimin e fondeve, dhe nga ana tjetër kërkon kapacitete më të mira teknike dhe menaxhuese të administratës publike që peojektet e hartuara të jenë cilësorë në përputhje me nevojat dhe strategjitë e zhvillimit që ka vendi dhe të zbatohen në kohën e duhur" .

Qeveria ka përgatitur një buxhet shtesë për të investuar në gjysmën e dytë të vitit rreth 280 milionë dollarë amerikanë. Rritja e pagave e pensioneve, ndërtimi i rrugëve dhe investime në arsim e spitale janë fushat kryesore ku do të përdoret buxheti i rishikuar.

Megjithatë, investimet publike në gjysmën e parë të vitit nuk shkuan sipas parashikimeve, ndaj është e nevojshme që ato të përshpejtohen, vërejnë analistët, në mënyrë që ekonomia të përgatitet për të thithur investime të tjera, sepse rritja e fuqisë thithëse për investime është një tjetër shqetësim që diskutohet në qarqet ekonomike. //rd//

XS
SM
MD
LG