Lidhje

Belgjika: Nuk jemi kundër negociatave të mëtejshme Prishtinë-Beograd


Zyra belge në Prishtinë, tha mbrëmë se vendi i saj, i cili ka qenë këtë muaj kryesues i radhës i Këshillit të Sigurimit, nuk është kundër negociatave të mëtejshme midis Prishtinës dhe Beogradit, nëse bisedime të tilla do të çonin në përmirësime të propozimit Ahtisaari, të pranueshme për të dyja palët.

"Përpjekjet për këtë qëllim, ia vlen të shqyrtohen", thuhet në deklaratën e zyrës belge në Prishtinë. Ministri i jashtëm belg Karel de Gught, citohet të ketë thënë se është në interesin e të gjitha palëve të interesuara, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Zyra belge në Prishtinë, konfirmoi mbrëmë zyrtarisht mbështetjen për negociata të reja midis Prishtinës dhe Beogradit lidhur me çështjen e Kosovës. Në një deklaratë të shefit të zyrës belge në Prishtinë, Wim Peeters, dërguar nga kjo zyrë ndërlidhëse mbrëmë, thuhet se ministri i jashtëm belg Karel De Gucht shpreh keqardhje që asnjë marrëveshje për rezolutën mbi Kosovën nuk është arritur deri tani.

Në deklaratë thuhet se më 28 qershor, Këshilli i Sigurimit, mbajti një raund tjetër diskutimesh për Kosovën, të fundit nën kryesinë belge të këtij këshilli. Diskutimet janë zhvilluar në bazën e një projekt-rezolute të rishikuar, e cila parashikon negociata të mëtejshme midis palëve. Belgjika shpreh keqardhjen që asnjë marrëveshje për këtë rezolutë nuk u arrit.

"Belgjika nuk kundërshton negociata të mëtejshme midis palëve, nëse bisedime të tilla do të çonin në përmirësime shtesë të propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, të pranueshme për të dyja palët. Përpjekjet për këtë qëllim, ia vlen të shqyrtohen", thuhet në deklaratën e zyrës belge në Prishtinë.

Ministri i jashtëm belg citohet të ketë thënë se është në interesin e të gjitha palëve, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Në deklaratë thuhet gjithashtu se në takimin e tij me ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiç, më 27 qershor në Bruksel, ministri Karl De Gucht i ka bërë thirrje Beogradit që të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociata të tilla. "Plani Ahtisari po udhëheq mendimin tonë", citohet të ketë thënë ministri belg.

Zyra belge ka theksuar se sidoqë të jetë, negociatat do të ishin të kufizuara në kohë dhe do të merrnin parasysh realitetet në terren. Belgjika thotë gjithashtu se pasiguria aktuale nuk mund të shkojë shumë gjatë dhe se gjendja në vend-numëro është e pajustifikueshme. //ii

XS
SM
MD
LG