Lidhje

Policia britanike çaktivizon një makinë bombë


Policia britanike thotë se ka çaktivizuar një makinë bombë në qendër të Londrës dhe ka bllokuar disa rrugë të tjera, ndërsa bëhen hetime rreth një makine të dyshuar.

Zyrtari i lartë i policisë Peter Klark u tha gazetarëve se një makinë e parkuar para një klubi nate, i frekuentuar nga qindra njerëz, ishte mbushur me karburant dhe shrapnel dhe po të kishte shpërthyer do të shkaktonte shumë viktima. Policia u njoftua dhe shkoi në vendin e ngjarrjes pasi punonjësit e ndihmës së shpejtë, që ndodheshin aty për një incident tjetër, panë tym brënda në makinë.

Zoti Klark tha se policia ka çaktivizuar mjetet shpërthyese. Ai tha se është shumë herët që të bëhen spekullime për personat përgjegjës.

Autoritetet e rendit mbyllën rrugën Park Llejn, rruga kryesore që të çon në Pallatin Bukingam, si dhe Parkun Hajd. Policia ndaloi trafikun në Rrugën Flit pas njoftimeve se ishte gjetur një paketë ose një makinë e dyshimtë në atë zonë.

Sekretari i brëndshëm Zhak Smith u tha gazetarëve se vendi përballet me kërcënimin më serioz dhe të vazhdueshëm nga terrorizmi ndërkombëtar dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë vigjëlentë.

Qeveria e re e kryeministrit Gordon Braun thirri një takim urgjent të shefave të sigurimit për të diskutuar gjendjen. Zoti Brown, që mori detyrën të mërkurën theksoi rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë së publikut. Ai tha se incidenti tregon se Britania përballet me një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG