Lidhje

Baza amerikane në Tuzël u jepet boshnjakëve


Pas 12 vjet operacionesh në Ballkan, NATO dhe forcat amerikane kryen dje me një ceremoni zyrtare, dorëzimin e bazës Eagle, Shqiponja në Tuzla, autoriteteve të Bosnje-Hercegovinës. Në bazën amerikane të Bosnjes kanë shërbyer 100 mijë ushtarë amerikanë, të cilët luajtën një rol historik në operacionet paqeruajtëse.

Ambasadori amerikan Douglas McElhaney ja dorëzoi drejtimin e bazës Ministrit të Brendshëm të Bosnjes, Selmo Cikotik, në bazën Eagle.

“Kjo ditë shënon përfundimin e një epoke, por edhe fillimin e një tjetre, kur populli i Bosnjes do të tregojë se është plotësisht i aftë për të ndërtuar një shtet të ri, për mbështetjen e aspiratave të qytetarëve të saj për punë, arsimim dhe një standart normal jetese. Ne jemi kreanë për ato që bënë ushtarët tanë në Bazën Eagle, dhe duam që boshnjakët ta kujtojnë kontributin tonë këtu. Faleminderit për mikpritjen e mirë, dhe urime për përpjekjet e mëdha që po bëni për ndërtimin e jetës së re. Dhe ushtarëve tanë, u shpreh falenderimet më të thella për kontributin e jashtëzakonshëm”.

Në bazën amerikane të Bosnjes kanë shërbyer 100 mijë ushtarë amerikanë, të cilët luajtën një rol historik në operacionet paqeruajtëse, si dhe në mbështetje të veprimeve të Gjykatës së Hagës për Krime Lufte.

Një numër i madh të dyshuarish për krime lufte, mes tyre edhe ish-Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, u transferuan në Gjykatën e Hagës nëpërmjet bazës Eagle.

Minsitri i Brendshëm i Bosnjes, Selmo Cikotic, tha në ceremoni se Bosnje-Hercegovina nuk do t’i harrojë kurrë ato që kanë bërë forcat amerikane për ndërtimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë në Bosnje.

“Populli dhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës dhe përfaqësues të institucioneve të Bosnjes nuk do ta harrojnë kurrë kontributin e madh të forcave amerikane, forcave tona dhe institucioneve të tjera për qëndrueshmërinë, sigurinë dhe begatinë e Bosnjes”.Baza Eagle që tani e tutje, do të përdoret si një qëndër operimi dhe stërvitjeje për rekrutët e rinj./al

XS
SM
MD
LG