Lidhje

Prishtina nuk pret ndonjë arritje nga takimi Bush-Putin


Në Prishtinë nuk pritet shumë nga takimi midis presidentëve Bush dhe Putin, megjithëse kërkesa e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës vazhdon të mbetet që Rusia të heqë dorë nga qëndrimi bllokues që ka mbajtur deri tani në mbështetje të Serbisë. Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili kryeson grupin negociator të Kosovës, thotë se Prishtina shpreson që Rusia do t’i afrojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe do të heqe dorë nga bllokimi i njëanshëm i miratimit të rezolutës të re për Kosovën.

Zoti Beqiri pohon se në fakt ajo që pret Prishtina nga ky takim është shpresa për një zbutje të qëndrimit rus sepse Rusia siç thotë ai, është i vetmi vend që po heziton t'i bashkangjitet grupit të vendeve të tjera që mbështesin planin Ahtisari dhe miratimit të një rezolute të re për Kosovën bazuar në këtë plan.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës thonë se kompromisi nga pala kosovare është bërë dhe ai është paketa e kryenegociatorit Marti Ahtisari që është pranuar nga institucionet e Kosovës përfshi edhe parlamentin si institucioni më i lartë i vendit. Kosova, thotë zëdhënësi i presidentit, e ka shkelur kufirin përtej të cilit nuk mund të shkojë. Kosova ka bërë “lëshime të ndjeshme” në një numër çështjesh si e drejta e garantuar për përfaqësimin e pakicave, decentralizimi, dhe shumë çështje të tjera që I tejkalojnë madje edhe standartet ndërkombëtare.

Zoti Beqiri thotë se kompromise nuk duhet të ketë më dhe duhet të shkohet në miratimin e plotë të planit Ahtisari. Për udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, rruga më e mirë është miratimi i një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit që do të hapë rrugën për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës dhe që do të siguronte stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon. //kk//

XS
SM
MD
LG