Lidhje

SHBA: Shtohen masat e sigurisë pas incidenteve në Britani


Shtetet Bashkuara po shtojnë masat e sigurisë në sistemin e transporteve pas indicidentit me autobombë dhe përpjekjeve të tjera për sulme terroriste ditët e fundit në Britani. Një zyrtar i lartë amerikan i sigurimit thotë se edhe pse nuk sheh ndonjë lidhje specifike për sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara, ai është i shqetësuar për ata që i quan imitues terroristë.

Sekretari për Sigurinë Kombëtare Michael Chertoff u shfaq në disa porgrame televizive. Ai tha në programin This Week të kanalit ABC se nuk ka tregues për lidhje midis ngjarjeve në Britani dhe ndonjë sulmi specifik në Shtetet e Bashkuara. “Deri tani nuk kemi ndonjë informacion të besuar, specifik për ndonjë sulm të fokusuar në vendin tonë”, tha zoti Chertoff.

Por në të njëjtën kohë duke folur për programin Late Edition të CNN-it zoti Chertoff tha se autoritetet amerikane janë të shqetësuara rreth kërcënimeve terroriste veçanërisht në muajt në vazhdim. "Një numër udhëheqësish të al-Kaidës kanë folur hapur rreth synimeve për të materializuar kërcënimet e tyre kundër Perëndimit. Në bazë të këtyre deklaratave dhe përvojës gjatë verërave të kaluara ne sulmet në Britani, ne jemi të përqëndruar në këtë mundësi".

Zoti Chertoff tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin masa shtesë të sigurisë në aeroporte, stacione trenash dhe stacione të tjera të transportit publik këtë javë, ndërsa vendi përgatitet të festojë 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë. Ai shtoi se do të ketë një program të përforcuar marshall, siç e cilësoi ai, në fluturimet trans-Atlantike veçanërisht drejt Britanisë. Personel sigurie është vendosur në avionët me destinacion për në Shtetet e Bashkuara që pas një komploti të zbuluar gushtin e kaluar në Londër për të hedhur në erë avionët që fluturonin nga Shtetet e Bashkuara në Britani.

Zoti Chertoff tha se Washingtoni është gjithnjë e më i shqetësuar rreth personave me shtetësi evropiane që shkojnë në Azinë Jugore për t’u stërvitur si terroristë e që më pas kthehen dhe kryejnë sulme në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara. Ai i tha rrjetit CNN se ka një numër të konsiderueshëm njerëzish brenda Shteteve të Bashkuara që dyshohen për lidhje me terrorizmin. "Nuk them se këto janë lidhje me al-Kaidën, por ato padyshim tregojnë mundësinë që njerëzit të radikalizohen dhe të vendosin të kryejnë sulme me kokën e tyre. Pra ky nuk është në asnjë mënyrë vetëm një problem evropian por edhe një problem i këtushëm".

Zoti Chertoff tha se nuk ka plane të menjëherëshme për të rritur nivelin e kërcënimit terrorist në Shtetet e Bashkuara që tani është në ngjyrën e verdhë, gjë që tregon një nivel në rritje. Që nga gushti i kaluar niveli i kërcënimit terrorist në Shtetet e Bashkuara për të gjitha fluturimet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare ka qënë më serioz, në nivelin e ngjyrës portokalli. //rd//

XS
SM
MD
LG