Lidhje

Ndryshim i rolit të NATO-s pas Luftës së Ftohtë

  • Bill Roxhers
  • Uashington

Roli i NATO-s ka ndryshuar ndjeshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe disa thonë që organizata me 26 anëtarë duhet të shndërrohet në një aleancë sigurie globale. Tani për tani gjithsesi, sfida kryesore e NATO-s për ruajtjen e kompaktësisë dhe efektivitetit mbetet në Afganistan.

Që nga luftimet në Afganistan e deri tek ruajtja e paqes dhe qendrueshmërisë në Kosovë, misioni i NATO-s ka ndryshuar dramatikisht që kur u themelua në vitin 1949 për të mbrojtur Evropën Perëndimore nga rreziku sovjetik. Tani ka disa thirrje për ta shndërruar NATO-n në një aleancë sigurie globale duke lejuar Australinë, Japoninë dhe vende të tjera që të bëhen anëtare dhe të kontribuojnë me forca. Anëtari demokrat i kongresit, Tom Lantosh, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështje të Jashtme, e bëri një sugjerim të tillë në një seancë të kohëve të fundit.

“Çfarë e pengon Australinë, përveç fjalës Atlantik, që nëse NATO-ja është elastike të bëhet anëtare e organizatës? A nuk do të ishte komandanti suprem më i sigurt për përballimin e krizave të ardhshme globale nëse NATO-ja do të kishte një shtrirje më globale?”- tha Lantosh.

Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Gjeneral Banz Kradok, dëshmoi në seancën e senatit. Ai ishte dakord se zgjerimi do të kishte të mira, por paralajmëroi për pengesat.

Nga perspektiva e planifikimit dhe përgatitjes, ne po e shohim mundësinë e zgjerimit. A është ky një hap drejt një zgjerimi global? Nuk e di. Sigurisht, që ky do të ishte një vendim politik. Por, mendoj se duhet pranuar që ambicja për një arritje të tillë është e madhe dhe të them të drejtën nuk përputhet me vullnetin politik të vendeve dhe ne duhet gjithmonë t’i shtyjmë vendet anëtare që të arrijnë atë lloj kapaciteti”.- tha Gjenerali.

Në Afganistan, çështja e aftësive të NATO-s ka një vend qendror. Një forcë ndërkombëtare prej rreth 40 mijë ushtarësh ndodhet në Afganistan dhe shumica e trupave vijnë nga 26 vendet anëtare të NATO-s. Por disa vende anëtare, si Gjermania dhe Spanja, kanë kufizime lidhur me përdorimin e forcës. Eksperti i NATO-s Stefen Larrabi punon në organizatën Rand.

“Është një sfidë dhe kërcënim ndaj kompaktësisë së saj. Për këtë arsye, është thelbësore, sipas pikëpamjes sime që në planet afatgjata këto kufizime të reduktohen dhe eliminohen nëse është e mundur, përndryshe efektiviteti i organizatës do të preket”,- tha eksperti.

Lidhur me këto kufizime janë bërë diskutime dhe është bërë përparim. Por ndërsa shpërthimet vetëvrasëse dhe sulme të tjera vazhdojnë, disa vende anëtare po ngrenë pikëpyetje për pjesëmarrjen e ardhshme në misionin e Afganistanit. Zoti Larrabi beson se fati i së ardhmes së NATO-s varet nga Afganistani.

“Duket se kemi arritur në një pikë të pandryshueshme dhe kjo gjendje nuk është më e mjaftueshme. Ne do të na duhet të demonstrojmë, nëse NATO-ja ka një të ardhme të vërtetë se është në fakt në gjendje t’i përballojë këto sfida dhe jo thjesht të mbtetet në vend”, -tha eskperti.

Kryeministri kanadez Stefen Harper, ka thënë se misioni në Afganistan nuk do të shtyhet përtej vitit 2009, pa një konsensus në vendin dhe parlamentin e tij. Ky koment pasqyron vështirësitë me të cilat përballet NATO-ja për ruajtjen e kompaktësisë, ndërsa roli i saj shndërrohet për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të.//lk

XS
SM
MD
LG