Lidhje

Forma të reja për pakësimin e varësisë së energjisë tek importi

  • Greg Flakus
  • Uashington

Për të ulur varësinë e Amerikës tek importet e naftës së huaj dhe për të ulur ndotjen nga makinat, që funksionojnë me benzinë, vitin e kaluar qeveria amerikane vendosi që benzina të përfshijë në përbërjen e saj 10 përqind etanol. Etanoli nxirret nga bimët dhe në Shtetet e Bashkuara shumica e tij nxirret nga misri i kultivuar në pjesën qendrore të vendit. Rritja e kërkesave për etanol po bën që të rigjallërohet ekonomikisht kultivimi i misrit.

Fermerët amerikanë po përjetojnë kohë të mira në rajonin ku kultivohet kryesisht misri nga pjesa lindore e Dakotës deri në Ilinoi. Uzina si kjo në Çensëllor të Dokotës së Jugut, po marrin në punë mijëra njerëz, të cilët bëjnë që çmimi i misrit të jetë i lartë.

Me që misri nevojitet gjatë gjithë vitit, uzinat e etanolit krijojnë një treg të vazhdueshëm për të korrat, që magazinohen nga fermerët si Riçard Londsberi.

“Uzinat e etanolit kërkojnë gjithë misër, pra kërkesat janë të vazhdueshme për misër, duke ruajtur çmime të njëjta.”, - thote fermeri.

Shumë prej këtyre uzinave filluan si nisma të fermerëve lokalë dhe disa fermerë si Riçardi po përfitojnë nga investimet që bënë para shumë vjetësh. Menaxheri i uzinës në Çensëllor, Rik Siri, thotë se misri është ideal për prodhimin e etanolit sepse ka 72 përqind niseshte.

“Për të prodhuar etanolin ne e konvertojmë niseshtenë në sheqer të cilit i hedhim maja. Majaja shkrihet në sheqer, duke krijuar etanolin”,- thotë Siri.

Mbetja është dioksid karboni dhe një pudër shumë e hollë, që përdoret për të ushqyer bagëtinë, një pjesë tjetër kjo e rëndësishme për ekonominë lokale. Në qytetin Sioks Folls aty pranë, Koalicioni Amerikan për Etanolin vëzhgon industrinë dhe bën gjithashtu lobizëm për mbështetje qeveritare si në nivel shtetëror edhe federal. Brajën Xhenings është nën-president ekzekutiv i kësaj organizate.

“Mbi 40 përqind e prodhimit të sotëm në industrinë e etanolit është pronë e fermerëve ose pronë lokale. Kjo ka qënë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të industrisë së etanolit dhe një pjesë e fitimeve, që realizohen këtu mbeten në këto komunitete rurale.”

Kritikët e etanolit ankohen se ky karburant nuk do të ishte me kosto të efektshme për konsumatorët, pa subvencionet e shumta të qeverisë. Por zoti Xhenings thotë se kjo mbështetje ka ndihmuar në krijimin e një industrie që sjell përfitime për mjedisin, konsumatorët dhe ekonomitë rurale.

“Industria e etanolit është zhvilluar me një rritëm shumë të shpejtë gjatë 2 vjetëve të fundit. Ne thuajse jemi dyfishuar gjatë 3-4 vjetëve të fundit. Sot ne kemi 125 uzina etanoli në 20 shtete. 76 uzina të tjera po ndërtohen në 23 shtete. Ne mund të prodhojmë mbi 20 miliardë litra etanol në ditë”, thotë Xhenings.

Disa studime kanë treguar se duhet më shumë energji për ta prodhuar etanolin se sa ky i fundit prodhon energji. Por zoti Xhenings thotë se kjo industri vazhdon të përparojë nga ana teknologjike, madje studime të fundit flasin për një përfitim më të mirë nga energjia e prodhimit të etanolit.

Dhe megjithëse zoti Xhenings punon për një organizatë që promovon prodhimin e etanolit, ai thotë se as etanoli dhe asnjë burim tjetër i vetëm energjie nuk do të përmbushë të gjitha nevojat energjitike të vendit.

Studjuesit po punojnë tani për të gjetur mënyra për prodhimin e etanolit dhe karburante të tjera nga pemët ose edhe nga mullarët e barit, pasi misri korret.

Udhëheqësit e industrisë së etanolit thonë se po punojnë për të krijuar karburante të formave të tjera si etanoli, duke krijuar kështu një treg të mirë për fermerët e Amerikës për vite me radhë.//lk

XS
SM
MD
LG